Policia shqiptare ka njoftuar sot goditjen e një rrjeti të organizuar të prostitucionit në Tiranë.
Sipas njoftimit, policia ka arrestuar një shtetase kolumbiane, organizatore e rrjetit të prostitucionit, dhe gjashtë shtetase të tjera të huaja që kishin ardhur në Shqipëri për të ushtruar prostitucion.
Gjithashtu policia ka bërë të ditur se janë proceduar penalisht edhe katër shtetas që i kishin dhënë me qira banesat e tyre, shtetaseve të huaja.
“Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi i shtetaseve: B. R., 30 vjeçe, shtetase kolumbiane, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”; L. P., 28 vjeçe, L. B., 23 vjeçe, Y. S., 28 vjeçe, D. B., 31 vjeçe, M. G., 21 vjeçe dhe L. B., 22 vjeçe, nga Spanja, Kolumbia, Venezuela dhe Rusia, për veprën penale “Prostitucioni””, thuhet në njoftimit të policisë.
“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasja B. R. shfrytëzonte për prostitucion shtetaset e tjera të arrestuara, të cilat kishin ardhur nga vende të ndryshme, në Shqipëri, ishin akomoduar në banesa me qira, në zona të ndryshme të Tiranës dhe nëpërmjet një faqeje në internet, krijonin kontakte me njerëz të ndryshëm, për të ushtruar prostitucionin, kundrejt pagesave”, ka shtuar policia.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pasaportat e shtatë shtetaseve të arrestuara dhe vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. /Telegrafi/