Pas një pune hetimore disamujore, nga ana e Njësisë për Hetimin e Krimeve të Luftës në kuadër të Policisë së Kosovës, sot është arrestuar shtetasi M.D, nga fshati Vitomiricë, e komunës së Pejës.
I njëjti është i nacionalitetit malazez, shtetas i Republikës së Kosovës, dhe siç bën të ditur Prokuroria Speciale, ai është arrestuar mbi dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale Krim i luftës kundër popullsisë civile, përcjell klankosova.tv.
Rasti ka të bëjë me ofensivën e forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe të datës 07.05.1999 në regjionin e Pejës, ku dyshohet se u vranë nëntë (9) civilë të nacionalitetit shqiptar dhe janë zhdukur pesë (5) persona të tjerë po ashtu civilë shqiptarë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i pandehuri gjendet nën masën e arrestit dhe ndalimit policor, për t’u dërguar para Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, brenda afatit ligjor.