Hetuesit policorë më 10.06.2023, rreth orës 11:00, kanë realizuar operacionin policor i koduar ‘Vera’, me qëllim të gjetjes dhe konfiskimit të lëndëve narkotike dhe arrestimit të personave të përfshirë në veprimtari penale, transmeton Fol Drejt.
Siç njofton policia, janë kryer kontrolle në dy lokacione në Prizren, ku në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar 10 kg e 414 gr, dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit marihuanë.
Dyshohet se marihuana ishte e destinuar për tregun ndërkombëtar (Turqi) dhe në treg kap vlerën përafërsisht 36 500 euro.
Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar edhe prova tjera që lidhen me rastin.
Ndërkaq, janë arrestuar dy të dyshuar: O.F., (mashkull kosovar, viti i lindjes 1976) dhe A.U., (mashkull shtetas i Turqisë, viti i lindjes 1970).
Policia ka intervistuar të dyshuarit, ndaj tyre është iniciuar rasti ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’.
Me vendim mbi ndalimin e personit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve./FolDrejt/