Tragjedia e një nate më parë e cila e tronditi Kosovën, ka nxitur reagime të shumta, ndërsa nga autoritetet po kërkohet zbardhja sa më shpejt e rastit. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se i dyshuari kryesor për vrasjen e gruas shtatzënë është kërkuar në disa lokacione, por ai deri më tani “nuk është hasur”, shkruan Fol Drejt.
Sipas raportit 24 orësh të policisë, konfirmohet edhe një herë se gruaja shtatzënë ka ndërruar jetë pasi është qëlluar me armë zjarri para Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK.
Rasti është cilësuar si “vrasje e rëndë”.
“Prishtinë 30.11.2022 – 18:00. Është raportuar se viktima femër kosovare para klinikës së Gjinekologjisë në QKUK është qëlluar me armë zjarri nga një person i dyshuar dhe si pasojë ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilës e ka konstatuar mjeku. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të policisë dhe prokurori kujdestar me urdhrin e të cilit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Nga njësitë policore në disa lokacione është kërkuar i dyshuari por deri tani nuk është hasur” – thuhet ndër të tjera në raport.
Bëhet e ditur, se rasti po vazhdon të hetohet nga njësitet kompetente policore./FolDrejt/