Kryetarja e Partisë për Veprim Demokratik (PDD) në Preshevë, Ardita Sinani, ka kërkuar nga përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, që të takohet me të zgjedhurit e shqiptarëve në Serbi, shkruajnë mediat serbe, përcjell Fol Drejt.
“Takimi i fundit me përfaqësuesit e Listës Serbe nga komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës është i kuptueshëm, sidomos duke pasur parasysh tensionet dhe përshkallëzimin e mundshëm, por edhe mungesa e takimit me shqiptarët e zgjedhur të Luginës së Preshevës është e pakuptueshme”, ka thënë Sinani, transmeton portali Bujanovacke.
Sipas saj, kjo qasje mund të kuptohet si mesazh i gabuar për qarqet që promovojnë destabilizimin e situatës stabile të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, por edhe tani në veri të Kosovës.
Ajo përsëriti se shqiptarët në Serbi janë diskriminuar dhe shtypur për dekada të tëra, “gjë që konfirmohet nga raportet zyrtare të Bashkimit Evropian dhe administratave amerikane”.
“Përfshirja e zyrtarëve të tyre të zgjedhur në proces do të kontribuojë në stabilitetin, sigurinë, evropianizimin dhe demokratizimin e Ballkanit Perëndimor. Prandaj, zoti Lajçak, ju ftoj të takoheni me ne, përfaqësuesit e zgjedhur të shqiptarëve në Serbi”, tha Sinani.
Lajçak javën e kaluar në Prishtinë u takua me zyrtarë të lartë shtetëror nga Kosova – Presidenten Vjosa Osmani, Kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësues të opozitës, ndërsa sot pritet të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, në kuadër të përgatitjeve për vazhdimin e bisedimeve për Planin evropian për Kosovën dhe Serbinë, përkatësisht takimi e 18 marsit në Ohër./FolDrejt/