Polonia njoftoi një ashpërsim të ri të izolimit te pjesshëm për luftimin e pandemisë koronavirus. Kjo erdhi pasi shteti europian raportoi nivele rekord të rasteve të reja për të dytën ditë radhazi.
Ministria e shëndetësisë tha se 34 mijë të infektuar u regjistruan në 24 orët e fundit, shifra më e lartë ditore që prej nisjes së pandemisë.
Duke nisur nga e shtuna, dyqanet do të lejojnë vetëm 1 klient për 20 metër katror, ndërsa do të limitohet edhe prania e besimtarëve në objektet e kultit. Parashkollori dhe çerdhet do të mbyllen, po ashtu edhe disa biznese të tjera si mobileritë, sallonet e bukurisë.
Qeveria polake paralajmëroi se sistemi shëndetësor po shkon drejt kolapsit, ndërsa po has probleme edhe në fushatën e vaksinimit nga mungesa e dozave.