Kreu i partisë në pushtet në Poloni, Jaroslaw Kaczynski, ka deklaruar se vendi po ndërton ushtrinë më të madhe tokësore në Bashkimin Evropian (BE), shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Mos u jepni leksion atyre që po ndërtojnë ushtrinë më të fuqishme tokësore në BE”, tha Kaczynski, kreu i partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS), duke kundërshtuar ish-kryeministrin Donald Tusk, i cili tani drejton Platformën Qytetare (PO) opozitare.
Polonia është zotuar për të paktën 3 për qind të shpenzimeve të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) të saj për mbrojtjen dhe tashmë ka nënshkruar kontrata të mëdha me kontraktorë nga SHBA-ja dhe Koreja e Jugut.
Me zgjedhjet parlamentare që vijnë këtë vjeshtë, Tusk së fundmi akuzoi partinë në pushtet se planifikon të pezullojë demokracinë për shkak të tensioneve në kufirin lindor të Polonisë me Bjellorusinë.
Kaczynski gjithashtu nënvlerësoi një incident të së martës ku dy helikopterë bjellorusë dyshohet se shkelën hapësirën ajrore polake.
“Ishte një provokim shumë i mangët dhe vetëm dikush jashtëzakonisht budalla mund të mashtrohej nga ajo, domethënë të gjuante raketa drejt helikopterëve. Natyrisht, Putin dhe Lukashenko do të ishin të lumtur për këtë”, tha Kaczynski.
“Ata janë të pafuqishëm. Ata e dinë që ne jemi në NATO, ne kemi forcuar mbrojtjen e kufirit dhe nuk do të lejojmë kthimin në doktrinën nga koha e qeverisë Tusk, për mbrojtjen e Polonisë në vijën e Vistula-s”, theksoi Kaczynski, duke iu referuar një doktrine ushtarake që vendosi mbrojtjen polake më në perëndim përgjatë lumit Vistula.
Të martën, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se dy helikopterë bjellorusë kishin shkelur hapësirën ajrore polake pranë fshatit Bialowieza.
Bjellorusia mohoi pretendimin, duke theksuar se helikopterët ishin rreth 2 kilometra larg kufirit.
Dje, i ngarkuari me punë i Polonisë në kryeqytetin Minsk, Marcin Wojciechowski, u thirr nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bjellorusisë për të shpjeguar inkursionin e pretenduar.
Sipas shërbimit bjellorus të lajmeve BeITA, ministria e vendit i kërkoi Polonisë të mos përshkallëzojë situatën ose të mos e përdorë atë për të justifikuar një grumbullim të trupave të saj përgjatë kufirit.
Pasi anëtarët e grupit ‘Wagner’ shkuan në Bjellorusi pas revoltës së tyre të dështuar, Polonia ka deklaruar se shumë prej tyre shkuan në kufirin polak, si dhe ka paralajmëruar se kjo mund të jetë një pararendës i luftës hibride.
Polonia si një anëtare e NATO-s në kufi me Ukrainën dhe Bjellorusinë, aleatin kryesor të Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës, ndodhet në një hapësirë të tensionuar midis NATO-s dhe vendeve aleate të Rusisë.