Polonia ka ngritur një padi në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë ndaj rregulloreve të Bashkimit Evropian (BE) të rëna dakord në muajin korrik për reduktimin e gazit natyror, duke përmendur se rregullorja nuk u miratua unanimisht nga blloku evropian.
Zv.ministri polak i Drejtësisë, Sebastian Kaleta, në rrjetet sociale tha se rregullorja është në kundërshtim me marrëveshjet, duke shtuar se ajo “nuk iu nënshtrua procedurës unanime”, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Kaleta argumentoi se e drejta e vetos së Polonisë ishte bllokuar edhe pse ishte shprehur qartë në marrëveshje.
“Kjo është shumë e rëndësishme sepse BE-ja, e cila prej vitesh po sjell zgjidhje të reja në fushën e energjisë, i heq Polonisë mundësinë për të përdorur të drejtën e vetos”, tha Kaleta.
Ai pohoi se BE-ja po përpiqet të përfitojë nga kriza energjetike për të marrë përsipër plotësisht “formimin e shportës së energjisë në kontinent”.
Në kuadër të planit emergjent të zbatuar në muajin korrik, BE-ja kërkoi që të gjitha vendet anëtare të reduktojnë konsumin e gazit natyror me 15 për qind për shkak të mundësisë së ndërprerjeve të gazit nga Rusia./FolDrejt/