Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki tha se marrëveshja e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) për paketën e 9-të të sanksioneve kundër Rusisë është tregues i “unitetit”.
Duke folur për gazetarët në Bruksel, Morawiecki bëri të ditur se deri para disa ditësh mbizotëronte pasiguri në çështjen e paketës së sanksioneve, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Këto janë sanksione të cilat tregojnë edhe një herë se ne jemi të besueshëm. Kemi ruajtur unitetin mes vendeve anëtare. Rusia luan për përçarjen brenda BE-së dhe ne nuk e lejuam këtë”, tha Morawiecki.
Ai theksoi se Polonia dhe Lituania kanë bërë një propozim që sanksionet kundër Rusisë të trajtohen në një periudhë 12 mujore.
“Dakordimi për këtë paketë sanksionuese është tregues i unitetit. Paketa e 9-të e sanksioneve individuale dhe ekonomike është tjetër hap i rëndësishëm drejt dobësimit të fuqisë së Rusisë. Ne vendosëm ndalesë për investimet në sektorin e minierave i cili nuk ishte i pranishëm deri më tani në Rusi. Kjo është mënyrë shumë e rëndësishme presioni. Kemi arritur të ruajmë besimin se uniteti, bashkimi dhe paqja duhet të jenë fitues për Ukrainën dhe Evropën”, tha kryeministri polak.
Ndërkohë nuk janë ndarë ende informacionet lidhur me përmbajtjen e paketës së re të sanksioneve.
Në propozimin që Komisioni Evropian (KE) përgatiti javën e kaluar për paketën e nëntë të sanksioneve, përfshiheshin shtimi në listën e sanksioneve i rreth 200 individëve dhe institucioneve dhe 3 bankave ruse, ndalimi i eksporteve të produkteve me përdorim të dyfishtë dhe ndalimi i investimeve në miniera.
Vendet anëtare po negocionin detajet e kësaj pakete./FolDrejt/