Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti duke thënë se është dehur nga pushteti dhe nuk po i sheh vështirësitë e familjeve kosovare pas rritjes së çmimeve.
“Popullisti Albin Kurti nuk e njeh më realitetin. I dehur nga jeta prej pushtetari, ai i ka krijuar vetes një Kosovë paralele ku gjërat s’mund të jenë keq kur ai vet është mirë. Prandaj ai sot nuk njeh rritjen e çmimeve e vështirësitë e familjeve kosovare”.
Madje, ai ka ironizuar edhe me deklaratën e Kurtit që tha se “kur njerëzit kanë shpresë atëherë shpenzojnë më shumë sesa kursejnë”.
Abdixhiku ka postuar një listë të vendeve evropiane dhe shkallës së inflacionit që kanë e që është shumë më e ulët se në Kosovë e për çka thotë “sepse në Evropë ‘nuk ka’ shpresë!”.
“Kosova është në krizë shumë më të thellë se çdo shtet evropian – e ne nuk kemi Qeveri që u del në krah qytetarëve të saj. As atëherë kur inflacioni arrinë frikshëm në 14.1% e as atëherë kur propozimet e zgjidhjet i ka që nga marsi i këtij viti në tavolinë”, ka shkruar ai në Facebook.