Komuniteti “Marshojmë s’festojmë” edhe për këtë 8 mars ka organizuar marshin protestues me synim që ai të manifestojë “rezistencë dhe solidaritet”, raporton Fol Drejt.
Organizatoret vunë theksin te gratë viktima të dhunës së “sistemit patriarkal”, e për rrjedhojë edhe thirrjet ishin për vetëdijesim kundër këtij sistemi.
“Policia i ka të lyera duart me gjak!” – dhe “poshtë policia patriarkale!” qenë dy ndër këto parulla që u dëgjuan tek artikuloheshin nga prijëset e marshit.
“Edhe këtë vit, marshi i 8 marsit nisë nga Pallati i Drejtësisë. Nisja nga Prishtina bëhet në mënyrë të organizuar me autobusë në ora 9:40 nga stacioni tek RTV21” – u paralajmëruan mbrëmë të gjithë ata që deshën t’i bashkoheshin marshit.
Organizatorët kërkuan nga pjesëmarrësit të visheshin me të kuqe apo të merrnin “diçka që bën zhurmë” me qëllim që marshi të jehojë rezistencë dhe solidaritet.
Pikërisht këto kërkesa duket se u përmbushën nga pjesëmarrësit, të cilët ishin veshur me të kuqe dhe shumë prej tyre kishin marr sende për të bërë zhurmë.
Njëra ndër të mbijetuarat e dhunës në familje Elmedina Hajdari, e cila ishte pjesëmarrëse në manifestim, u shpreh se ajo është vetë dëshmitare se si sistemi i drejtësisë nuk është duke funksionuar siç duhet kur bëhet fjalë për gratë:
“Prej që kam raportuar rastin ne 2021, u bënë dy vite që kur po luftojë për drejtësi dhe të drejtat e mija. Për afër dy vite nga urdhër mbrojtja shkak I dhunës psikike sistematike unë qëndroj sot para jush si e mbijetuar e dhunës dhe si një grua e cila ka hasur në shumë dhunë e padrejtësi, jo vetëm prej dhunuesit, por edhe prej shtetit. Unë jam dëshmitare e neglizhencës, mosbesimit dhe padrejtësive të vazhdueshme që u bëhen grave nga Policia, Prokuroria e Gjykata.”
Sipas saj, mjafton t’u referohemi rasteve të cilat nuk janë hapur për shkak të neglizhencës të Policisë dhe Prokurorisë.
Organizatoret kanë paraparë që marshi të përfundojë para qeverisë./FolDrejt/