Afërsisht 42,000 njerëz vdiqën në tërmetin shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë 11 ditë më parë dhe shpresa për të mbijetuar po pakësohet, megjithëse shpëtimtarët turq vazhdojnë të kërkojnë.
Një grua dhe dy fëmijë u shpëtuan dje nga rrënojat e një apartamenti në pjesën qendrore të Antakias në provincën Hatay, edhe 228 orë pas tërmetit shkatërrues, përcjell Fol Drejt.
Ekipet e shpëtimit nga e gjithë bota po largohen dalëngadalë nga zonat e prekura, përfshirë edhe ato serbe, të cilët pas tetë ditësh kanë përfunduar aktivitetet e shpëtimit dhe nesër po kthehen në vend, raporton RTS.
Sipas Reuters, më shumë se 4,300 pasgoditje kanë goditur zonën e fatkeqësisë që nga tërmeti fillestar.
Tërmeti preku 13 milionë njerëz, duke përfshirë rreth shtatë milionë fëmijë.
Ndërtesat po shemben dhe mbeturinat po pastrohen në dhjetë provinca turke së bashku me përpjekjet e shpëtimit.
Ministri turk i Mjedisit dhe Urbanizimit Murat Kurum deklaroi se deri më tani është përcaktuar se 50 mijë e 576 objekte duhet të prishen urgjentisht.
Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se situata është veçanërisht e vështirë në veriperëndim të Sirisë, ku sistemi shëndetësor është nën sulm për shkak të luftës civile.
Zyrtarët e OBSH-së i kanë kërkuar presidentit sirian Bashar al-Assad të lejojë hapjen e më shumë pikave kufitare me Turqinë për të lehtësuar dërgimin e ndihmave në zonat në veri të Sirisë që janë prekur rëndë nga tërmeti.
Në Ankara ndodhet kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili do të diskutojë edhe për pasojat e tërmetit me shefin e diplomacisë turke, Mevlüt Çavuşoğlu./FolDrejt/