Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al
Tensionet midis Ukrainës dhe Rusisë kanë vazhduar të rriten pas vendosjes së 1000,00 trupave pranë kufirit të Ukrainës. Vendet perëndimore, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë, janë të shqetësuara se grumbullimi i madh i forcave ruse përgjatë kufijve të Ukrainës është një përgatitje për të pushtuar vendin si pjesë e përpjekjeve të Moskës për të parandaluar anëtarësimin e Ukrainës në aleancën e sigurisë perëndimore të NATO-s.
Rusia ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo plan për të pushtuar vendin. Megjithatë, në vitin 2014 ushtria ruse pushtoi gadishullin jugor të Krimesë të Ukrainës dhe mbështeti forcat separatiste që morën kontrollin e një pjese të Ukrainës lindore.
Falë imazheve satelitore mund të shihen trupat që kanë rrethuar kufijtë veriorë, lindorë dhe jugorë të Ukrainës.
“Gjatë muajit të kaluar, imazhet tona satelitore me rezolucion të lartë kanë vëzhguar një numër dislokimesh të reja ruse në Krime, si dhe në disa zona trajnimi në Rusinë perëndimore përgjatë periferisë së kufirit me Ukrainën,” sipas kompanisë Maxar Technologies me bazë në SHBA, një teknologji hapësinore.
Kompania identifikoi automjete luftarake këmbësorie të serisë BMP, tanke, artileri dhe pajisje të mbrojtjes ajrore midis forcave ruse që sapo ishin vendosur në rajonin kufitar që nga tetori.
Që nga aneksimi i Krimesë, Ukraina ka shpenzuar 6% të PBB-së së vendit për mbrojtjen dhe sigurinë, në krahasim me vetëm 2% në 2014, sipas të dhënave të ministrisë së financave.
Buxheti i Ukrainës për mbrojtjen
Ukraina planifikon të shpenzojë gati 5.95% të PBB-së së saj për ushtrinë dhe sigurinë e brendshme në vitin 2022, ekuivalente me më shumë se 11 miliardë dollarë. Ndërsa forcat e armatosura të Ukrainës prej më shumë se 200,000 ushtararësh janë më pak se një e katërta e madhësisë së ushtrisë ruse, ato janë rritur ndjeshëm që nga viti 2014 nga ndihma ushtarake perëndimore, duke përfshirë furnizimet me raketa antitank amerikan Javelin dhe dronët turq, raporton abcnews.al
Pushtimi rus
Megjithëse Rusia mohon me vendosmëri çdo plan për të pushtuar Ukrainën, analistët i kanë cilësuar vendosjen e trupave ushtarakë si një pozicionim perfekt për të sulmuar vendin. Seth G. Jones dhe Philip G. Wasielewski i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) thanë se masa e parë e Rusisë mund të përfshijë sulme kibernetike që synojnë sistemet e komandës dhe kontrollit ushtarak të Ukrainës, komunikimet publike dhe rrjetet elektrike.
Sulmet ajrore dhe raketore mund të pengojnë forcat ajrore ukrainase përpara se trupat ruse të sulmojnë vendin.
Sulm nga lindja
Rusia mund të pushtojë dhe të marrë kontrollin e të gjithë territorit ukrainas në lindje të lumit Dnieper, duke pretenduar lindjen e Ukrainës, por shkatërruar ekonomiksht vendin, sipas CSIS.
Sulm nga perëndimi
Nëse Rusia është e suksesshme në lindje dhe trupat ushtarakë janë ende në formë, ata mund të kalojnë lumin Dnieper dhe të marshojnë në perëndim përmes peizazhit relativisht rural. Përgjatë Detit të Zi, forcat ruse do të pushtojnë Odessa dhe objektivat e saj- çelësi për një pushtim në shkallë të plotë.
Kontrolli i detit
Rusia mund të shmangë trupat që janë vendosur në zonat kryesore urbane të Ukrainës duke sulmuar përgjatë Detit të Zi. Pushtimi i Odesës do të ndërpresë aksesin e Ukrainës në det dhe në tregjet ndërkombëtare dhe do të rriste ndikimin e Rusisë në Detin e Zi.
Në një situatë të tillë, Rusia duhet të veprojë së shpejti ose të ndalojë çdo lëvizje drejt perëndimit deri në muajt e verës. Jones shpjegon se rrugët me baltë mund të ngadalësojnë divizionet e blinduara duke shkaktuar pengesa, dhe duke i bërë ato objektiva më të lehta për raketat antitank, raporton abcnews.al
Si ka ndryshuar konflikti Ukrainën?
Ukraina është bërë pika kyçe në marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin, por tensionet kanë filluar shumë përpara aneksimit të Krimesë në 2014. Në vitin 2004, zgjedhjet presidenciale të Ukrainës çuan në protesta masive: “Revolucioni Portokalli”.
Pasi Gjykata e Lartë e Ukrainës anuloi rezultatin dhe urdhëroi një votim të ri, vendi zgjodhi kreun e opozitës pro-europiane Viktor Jushçenko. Protestat dhe zgjedhjet ishin shenja e parë e tërheqjes së Ukrainës nga ndikimi i Rusisë me një shtrirje më të ngushtë me Europën. Protestat shpërthyen përsëri në vitin 2013, kur qeveria e presidentit të atëhershëm Viktor Janukoviç njoftoi se po pezullonte bisedimet e tregtisë dhe asociimit me Bashkimin Europian dhe në vend të kësaj po përpiqej të rikthente lidhjet ekonomike me Moskën.
Për muaj me radhë protestuesit organizuan mitingje masive në Kiev, duke organizuar 800,000 demonstrata deri në fund të 2013.
Protestat e dhunshme në fillim të vitit 2014
Protestat e kundërshtarëve të presidentit të Ukrainës Viktor Janukoviç, u përqëndruan kryesisht rreth sheshit Maidan të Kievit, duke shkaktuar vdekjen e dhjetra protestuesve.
Aneksimi i Krimesë dhe luftimet në lindje
Në shkurt dhe mars të vitit 2014, Rusia pushtoi dhe aneksoi gadishullin. Në prill, separatistët pro-rusë shpallën pavarësinë në rajonin Donbass të Ukrainës lindore dhe aty shpërtheu lufta.
Rrëzimi i MH17
Në korrik 2014, një raketë rrëzoi avionin Malaysian Airlines, duke shkaktuar vdekjen e 298 personave në bord. Hetuesit gjurmuan armën e përdorur për të rrëzuar avionin në Rusi, diçka që Moska e ka hedhur poshtë.
Kriza e ngushticës së Kerçit
Dy anije u përfshinë nga flakët pranë Ngushticës së Kerçit, duke shkaktuar të paktën 14 viktima. Kjo detyroi presidentin properëndimor ukrainas Petro Poroshenko të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme, raporton abcnews.al
Konfliktet vazhdojnë
Armëpushimet midis Ukrainës dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje të vendit kanë qënë të shpeshta por nuk kanë zgjatur për shumë kohë. Dhuna në rajon duket sikur nuk do të marrë fund kurrë.
Pse Rusia është e fokusuar në Ukrainë?
Ndikimi i Rusisë në Ukrainë është shumë i madh, veçanërisht në lindjen urbane dhe industriale, ku rusishtja është gjuha mbizotëruese në shumë rrethe përgjatë kufirit me Ukrainën, si dhe në Krime në jug.
Tokat e asaj që sot janë Rusia dhe Ukraina kanë qenë të bashkuara që nga shekulli i 9-të kur Kievi u bë kryeqyteti i parë i shtetit sllav të Rusisë; në vitin 988, nën sundimin e tij Princi i Madh Vladimir, Rusia u konvertua zyrtarisht në krishterimin ortodoks.
Në qershor 2021, presidenti rus Vladimir Putin tha se rusët dhe ukrainasit ishin një popull që ndanin një “hapësirë të vetme historike dhe shpirtërore” dhe se shfaqja e një “muri” mes tyre në vitet e fundit ishte tragjike. Kievi e hodhi poshtë argumentin e tij, raporton abcnews.al
Putin ka frikë se bashkëpunimi në rritje i Ukrainës me Perëndimin mund të pengojë shumë përpektiva të Rusisë. Perspektiva që NATO të pranojë Ukrainën si anëtare ose ta ndihmojë vendin me armë shihet si një gjë negative për Rusinë. Shtrirja e Ukrainës drejt perëndimit është e dukshme në eksportet dhe importet e saj. Rusia tani përbën vetëm 8% të tregtisë ndërkombëtare të Ukrainës, ndërsa eksportet me Bashkimin Europian janë rritur në 42%.
Tregtia e Ukrainës “në luftë” me perëndimin
Askush nuk mund të jetë i sigurt për lëvizjen e ardhshme të Rusisë, por analistët kanë rënë dakord se lufta në Ukrainë do të ishte e kushtueshme për të dy vendet. Analistët ushtarakë perëndimorë thonë se ushtria e Ukrainës është e trajnuar dhe e pajisur me më shumë armë se në vitin 2014, kur Rusia pushtoi gadishullin e Krimesë pa luftë dhe është e motivuar për të mbrojtur zemrën e vendit.
Ndërkohë, Perëndimi po përgatitet për të vendosur sanksione të ashpra nëse Rusia pushton Ukrainën pavarësisht se bisedimet diplomatike për të zbutur konfliktin vazhdojnë ende.
/abcnews.al