Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në seancën e së premtes, është pranuar si provë materiale video dhe transkripta e intervistës së Rrustem Mustafës- Remit, për BBC për kohën e Rambujesë.
Fillimisht, mbrojtja e Thaçit, konkretisht avokati Luka Mishetiq ka kërkuar të lëshohet një intervistë që dëshmitari Mustafa e kishte dhënë për BBC pas luftës, në lidhje me kohën e Rambujesë, raporton “Betimi për Drejtësi”, përcjell Fol Drejt.
Në videon e lëshuar, dëshmitari Mustafa dëgjohej të thoshte se ky kishte qenë për shkuarjen në Rambuje, por jo për të nënshkruar.
“Kam qenë për shkuarjen në Rambuje, jo për nënshkrim po, veç me shku edhe me i thanë kërkesat tona”, dëgjohej të thoshte Mustafa.
Tutje, dëshmitari Mustafa dëgjohej të thoshte se shumica e komandantëve nuk kishin mundur të shkonin për shkak se ka qenë luftë.
“Po kena folë përmes telefonit, por ju kemi thanë se normalisht duhet me shku në Rambuje, me uniformë, me i prezantu qëllimet tona por kurrqysh nuk duhet me u mashtru, nuk bën me u tradhtu edhe duhet me fitu atje”, dëgjohej ai.
Gjithashtu, Mustafa dëgjohej të thoshte se i kanë thirrë në telefon të gjithë anëtarët e grupit dhe se i kanë kërcënuar se nuk guxojnë të nënshkruajnë dhe se nëse e bëjnë, nuk guxojnë të kthehen në Kosovë.
“E kom marrë telefonin, e kemi telefonu edhe kom ba kërcnim, nuk guxoni me nënshkru. Mu kujtohet si sot, i kemi thanë ju e dini se kemi raketa kundër ajrit për raketa edhe do t’i ruajmë ato raketa, s’do t’i përdorim me serbë, po aeroplanin e juaj po zbritët në Sllatinë, do ta rrëzojmë”, thoshte Mustafa në atë intervistë.
Ndërkaq, tha se ata kanë vepruar ashtu duke u kthyer në Kosovë, ashtu që të konsultoheshin.
Pas dëgjimit të kësaj videoje, avokati Misheqit, e ka pyetur dëshmitarin Mustafa në lidhje me atë që Thaçi iu kishte dhënë garanci komandantëve të zonave.
Në lidhje me këtë, dëshmitari Mustafa tha se Thaçi ishte shef i delegacionit të Rambujesë dhe se ka bërë gjithçka për t’i bindur.
Sipas tij, Thaçi i kishte bindur një nga një dhe se i ka siguruar se ai po kontakton me njerëzit më të fuqishëm.
“Kam qenë skeptik derisa ka fillu bombardimi i NATO-së”, shtoi tutje Mustafa.
Po ashtu, avokati Mishetiq e ka pyetur edhe në lidhje me atë se nëse komandantët e zonave do e hiqnin pëlqimin që i kanë dhënë Thaçit.
Dëshmitari Mustafa tha se pa ata, marrëveshja nuk do kishte kuptim.