Shkruan Agron Shaqiri
Me paraqitjen e krizës u paraqitën edhe dilemat se si duhet zgjidhur ajo. Negociatave finale në Ohër i paraprinë bisedimet politike disamujore në mbajtura në Shkup, të cilat i udhëhiqte Kryetari i atëhershëm i Repulbikës së Maqedonisë, Boris Trajkovski, ku merrnin pjesë përfaqësues të partive politike shqiptare dhe maqedonase.
Ky dialog politik (mars-qershor), linte përshtypjen e një dialogu joformal, i cili nuk synonte ndërprejen e konfliktik, por më tepër i ngjante stilit të taktizimeve, e që ishin të mvarura pak a shumë nga ngjarjet në terren, andaj edhe nuk dukej serioz dhe nuk jepte përshtypjen se mund të arrihej një zgjidhje përfundimtare për ndërprerjen e konfliktit të armatosur në mes UÇK-së dhe forcave të sigurisë së shtetit të Maqedonisë.
Taktizimet e palës shqiptare ishin të orientuara në faktorin kohë, e që kishin vetëm një qëllim që në negociata të përfshiheshin edhe përfaqësuesit e UÇK-së me ndërmjetësim ndërkombëtarë.
Në të njëjtën kohë, taktizimet e palës maqedonase ishin të orientuar tek shpresa e forcave të sigurisë, tek të cilat politikanët maqedonas mendonin se do të korrnin fitore në fushëbeteja dhe të rimerrnin kontrollin në territoret e kontrolluara nga UÇK-ja.
Qëllimi i të dy palëve ishte që të fitonin pozicione më të favorshme në negociata, që siç e nënkuptonin ata, nuk do të mundet që t’u iket në periudhën që do të pasonte.
Pala maqedonase ishte kundër negociatave tipike për arritjen e një marrëveshjeje paqësore, për shkak se, për ta, ishte e papranueshme përdorimi i armëve nga ana e kryengritësve shqiptarë për arritjen e qëllimeve të tyre politike, e që kishin të bënin me përmirësimin e statusit politiko-juridik të shqiptarëve që jetonin në Maqedoninë e atëhershme. Gjithashtu ata kundërshtonin palën shqiptare edhe nga frika e legjitimimit të faktorit ushtarak shqiptar (UÇK-së) dhe përfshirjes së kësaj të fundit në tavolinën e negociatave, që sipas tyre, nenkuptonte edhe kapitullimin e Maqedonisë.
Për këtë periudhë (para fillimit të negociatave në qytetin e Ohrit), kreu i Partisë Demokratike Shqiptare, njëherit edhe njëri nga pjesëmarrësit në negociata dhe nënshkrues i marrëveshjes, Arbër Xhaferi do të thonte:
“ Duhet të kalonin disa muaj para se të fillonin bisedimet për shkak të shpresave të rejshme të palës maqedonase se do të fitonin betejën politike kundrejt palës shqiptare. Në këtë kohë ekzistonte një shpresë e madhe se faktori politik shqiptar do të hubte kredibilitetin në arenën ndërkombëtare dhe se kauza maqedonase do të përkrahej, njëjtë, siç ishte përkrahur kauza kosovare nga forcat vendimarrëse ndërkombëtare”. (Љатифи, 2008)
Kështu Presidenti, Trajkovski, që t’i ikë internacionalizimit të mëtejmë të kërkesave shqiptare del me një propozim që nënkuptonte se forcat politike legjitime në Maqedoni ishin të afta që të gjejnë zgjidhje të problemeve me nisjen e një dialogu i cili do të mund të zhvillohet në Kuvendin e Maqedonisë, më saktësisht në Komisionin për Integrime euro-atlantike ose në tryeza të rrumbullakta të cilat do të bëheshin nën patronatin e tij. (Halili, 2019)
Këtë propozim e kundërshtoi PPD e cila në dokumentin e titulluar ” Kornizë për negociata për çështjet e hapura të shqiptarëve në Maqedoni” opinionin e patë informuar se “…PPD insiston që bisedimet maqedono-shqiptare të kenë karakter negocues dhe përveç palëve në bisedime të merr pjesë edhe faktori ndërkombëtar (EU, OSBE, NATO dhe SHBA). PPD konsideron se forum për diskutime nuk mund të jetë Komisioni për integrime evro-atlantike në Kuvendin e Maqedonisë e aq më pak Tryeza e rrumbullakët e inicuar nga ana e kryetarit Trajkovski, pa rend dite të përcaktuar që më parë, pa pjesmarrje të faktorit ndërkombëtar dhe pa status të definuar të pjesmarrësve në bisedime…” (Arkivi i PPD-së).
Përkundër këtij qëndrimi të PPD-së ajo qe e detyruar të merr pjesë në Tryezat e kryetarit Trajkovski, nga presioni që asaj ja bënë faktorë ndërkombëtarë me kërcënim të izolimit të saj nga skena politike. Dëshmi e përmbajtjes së Komunikatës së PPD-së janë edhe konstatimet e mëvonshme të kryetarit të saj Imer Imeri i cili shprehet si vijon:”…Unë në fillim kur pashë se sa cekët duhet të shkonin në zgjidhjet politike, nuk u pajtova në asnjë mënyrë dhe i injorova, në disa takime nuk shkova. Faktori ndërkombëtar bënte presion që të shkonim në takim, pa marrë parasysh se ç’farë do të arrihej dhe ne në disa takime shkuam, në disa nuk shkuam…” (Mënaj, 2004).
Ashtu siç raportonin mediat në gjuhën maqedonase të asaj kohe si ishin TV A1, pastaj gazetat “Vecer”, “Dnevnik” dhe të tjera, liderët shqiptarë, Imer Imeri dhe Arbën Xhaferi, nuk kanë marrë pjesë në tryezat e organizuara nga kryetari Trajkovski pas takimit të parë më 9 korrik 2001, si protestë për mospranimin e kërkesave politike shqiptare nga ana e liderëve të partive politike maqedonase, të cilët në tryezë kishin rënë dakord për ndryshime kozmetike kushtetutare duke mos i hyrë esencës së zgjidhjes së problemit.
Në takimin e fundit në nivel të liderëve të katër partive më të mëdha politike, VMRO-DPMNE, LSDM,PDSH dhe PPD, ku kanë marrë pjese edhe Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian Solana dhe Sekretari Gjeneral i NATO-s, Robertson, më 26 dhe 27 korrik 2001, palët bashkëbiseduese kanë ardhur në përfundim se një dialog politik maqedono-shqiptar pa ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve ka qenë i pamundur. Edhepse parimisht palët ishin pajtuar që bisedimet të rinisin më 28 korrik në Tetovë, ato e kanë ndruar për shkaqe sigurie, destinacionin i tyre, tashmë, ishte për në Ohër, në vilën Biljana, rezidencë e kryetarit të republikës. (Halili, 2019)
“Në takimin e parë që u mbajtë më 9 korrik 2001 në bisedimet e udhëhequra nga Trajkovski, ku kanë qenë të pranishme katër partitë më të mëdha politike, si VMRO-DPMNE, PDSH, LSDM dhe PPD pjesmarrës kanë qenë kryetari Imer Imeri” (Halili, 2019). “Dokumenti bazë ka qenë ai i shkruar nga eksperti francez Badinter në bashkëpunim me ekspertët maqedonas. PPD dhe PDSH kanë prezentuar dokumentin e tyre të përbashkët ku është kërkuar që Maqedonia të jetë shtet binacional me gjuhë shqipe të barabartë me maqedonishten, përfaqësim proporcional të shqiptarëve në institucionet e shtetit, me krijimin e institucionit të nënkryetarit të shtetit me të drejtë vetoje për çështje të rëndësishme nacionale, me polici lokale që do të reflektojë përbërjen nacionale të populates”. (Halili, 2019)
Përfaqsuesit e partive politike maqedonase i kanë hudhur poshtë këto kërkesa të partive politike shqiptare, ndërsa për përfaqsuesit e PPD-së dhe PDSH-së platforma e ekspertëve maqedonas dhe ajo e Badinter-it ka qenë e papranueshme.
Më 10 korrik përfaqësuesve të partive politike në Tryezën e Trajkovskit u bashkangjiten edhe lehtësuesi amerikan Pardju, ai i BE-së Leotar, përfaqësuesi i OSBE-së për pakicat, Maks Van der Shtul dhe përfaqësuesi i NATO-s në Shkup, Peter Feith.
“Më 9 korrik në orët e vona, diku kah ora 20.00 në restoranin “Uranija” e pata ftuar në darkë familjarisht ambasadorin francez François Terral. Më vonë një telefonatë nga dikushi, ambasadorit ia vuri në dije se lehtësuesi i BE-së François Leotard ka arritur në Shkup dhe ka shprehur dëshirë të na bashkangjitet në darkë. Pasi e shpreha kënaqësinë time që ai të jetë pjesë e tryezës, ai erdhi dhe ndejtëm deri vonë në mesnatë. Mes tjerash këmbyem mendime për krizën politike dhe kërkesat shqiptare. Ky takim spontan i dha lehtësuesit Leotard pasqyrë të qartë se çka ndodh dhe me cilat sfida do të ndeshet më vonë gjatë misionit të tij” (Halili, 2019).
Pasi të dy palët nuk i pranuan platformat e njëri tjetrit e me qëllim të sinkronizimit të qëndrimeve përfaqësuesit ndërkombëtarë, ditëve që vijnë ndarazi, bëjnë takime me ekspertë të partive politike në bisedime dhe nga negociatorët shqiptarë arrijnë kompromisin që të hiqet dorë nga kërkesa për nënkryetar të shtetit me të drejtë të vetos për çështje që preknin identitetin kombëtar shqiptar si dhe për statusin e popullit konstituent të shqiptarëve.
Grupin e ekspertëve të PPD dhe PDSH e përbënin Naser Zyberi dhe Xhevdet Nasufi, ndërsa ky i fundit ishte edhe nënkryetar qeverie.
Tekstin e përmirsuar dhe të korrigjuar të dytë lehtësuesit ua dorëzojnë partive politike më 16 korrik 2001.
Më 17 korrik 2001 televizioni A1 informon se të dërguarit special të BE dhe SHBA Leotar dhe Perdju e dorëzuan versionin e fundit të platformës së tyre për ndryshime kushtetutare.
“…Sipas propozimeve të tyre gjuha shqipe e merrte statusin e gjuhës së dytë zyrtare”. Propozim-zgjidhjen e re për çështjen e gjuhës, e cila praktikisht do të thoshte shpallje e gjuhës shqipe për gjuhë të dytë zyrtare, e solli dialogun në krizë. Propozimi që e dhanë Leotar dhe Perdju ishte i papranueshëm për VMRO-DPMNE dhe LSDM. Kryetari Boris Trajkovski me bisedat telefonike me disa shtetarë botëror u ka bërë me dije palës maqedonase se ajo çka e ofrojnë lehtësuesit Leotar dhe Perdju faktikisht, sipas tyre, do të ishte federalizim i shtetit, dhe se është jashtë kornizës së dialogut bazë e të cilit janë propozimet e Badinter. (Halili, 2019)
Draft versionin e fundit mediumet maqedonase si dhe intelektualët e kishin politizuar në paskajshmëri si problematik dhe një mbështetje e hapët e lehtësuesve Leotar dhe Perdju kërkesave shqiptare, që është në kundërshtim me platformën e Badinter-it, mbështetur fuqishëm nga partitë politike maqedonase dhe si një mundësi për shkatërim të shtetit. Kryeministri Georgievski shkon edhe më tej në kualifikimet duke deklaruar se kjo platformë është ofruar në “stilin e kaubojve” nga ana e përfaqsuesve Leotar dhe Perdju. Kjo ka qenë data më kritike e vazhdimit të bisedimeve maqedono-shqiptare në vitin 2001.
Shtatëmbëdhjet vite më vonë ambasadori Pardju boton librin e tij “Krijuesit e paqës: lidershipi amerikan dhe fundi i gjenocidit në Ballkan” (Pardew, 2017) ku një kaptinë ia përkushton edhe nënshkrimit të Marrëveshtjes së Ohrit. Sipas tij për t’u arritur paqa në Maqedoni kanë qenë të nevojshëm dy kushte: statusi plotësisht i barabartë i gjuhës shqipe me maqedonishten dhe fuksionimi i policisë lokale si dhe disa probleme sekundare siç ka qenë edhe Preambula e Kushtetutës.
Një kokëdhimbje të posaçme ka shkaktuar statusi zyrtar i gjuhës shqipe për të cilin edhe vetë Pardju ka pasur dilema se a duhet të jetë ashtu dhe për të cilin pala maqedonase as që ka dashur të diskutojë.
Kthesa në bisedime është bërë, shkruan Pardju, më 16 korrik 2001 ku shqiptarët pranojnë pozicion më të dobët të gjuhës shqipe dhe të tërhiqen nga kërkesa për kontroll të tërësishëm të policisë lokale.
“Shqiptarët pranuan draft-tekst me të cilin shqipja bëhet gjuhë e dytë zyrtare por jo të niveli të njejtë. I thashë Xhaferit se poqese më jep garanca se të gjithë liderët shqiptarë do ta pranojnë propozimin, do t’ja ofrojmë kryetarit si shansë më të mirë për marrëveshje. Disa orë më vonë Xhaferi u paraqit me garanca….megjithatë për shqiptarët statusi i gjuhës së tyre ishte prioritet parësor…” (Pardew, 2017)
Më 29 korrik 2001 liderët shqiptarë Imer Imeri dhe Arbën Xhaferi tentojnë ta bindin kryetarin Trajkovski që ta pranojë statusin e barabartë zyrtar të shqipes me maqedonishten si kusht për çarmatimin e UÇK-së por ai e refuzon këtë. Në mbrëmje të 29 korrikut pala shqiptare pranon kompromisin që GJUHA SHQIPE TË KETË STATUSIN E GJUHËS ZYRTARE POR QË NË TEKSTIN E MARRËVESHTJES MOS QËNDROJË TERMI “GJUHA SHQIPE” (por 20%). Më 31 korrik 2001 të dy palët e pranojnë kompromisin e gjuhës por Georgievski kërcënon me lëshimin e bisedimeve.
Pas kësaj date më tepër angazhime kanë pasur ekspertët se sa politikanët. Leotar në intervistën e tij dhënë për Dojçe Vele (2004) në gjuhën maqedone, falenderon për ndihmë juridike Badinter-in e njohur, ndërkaq Pardju e lëvdon për talentin e saj eksperten Laurel Mirel e cila para se të angazhohet në Maqedoni ka punuar në kushtetutën e Bosnjës në Dejton e më vonë në Kushtetutën e Kosovës, por esenca është se baza themelore për Marrëveshtjen ka qenë Deklarata për status të barabartë të shqiptarëve në Maqedoni e Grupit parlamentar të PPD-së e përforcuar me një pjesë të platformës së PDSH-së ku parashihej krijimi i institucionit të nënkryetarit të shtetit me të drejta të vetos për çështje kombëtare.
Pas kompromiseve të bëra, kur mendohej se bisedimet do të ecnin tutje pa ndonjë pengesë serioze, një numër i incidenteve që ndodhën në këtë kohë në terren do ta ndryshojnë rrjedhën e negociatave për ndryshimet kushtetuese në Ohër. Këto incidenete do ta bien në pikëpyetje procesin paqësor dhe i tërë procesi ishte i bllokuar për shkak të reflektimit të këtyre ngjarjeve në dinamikën e bisedimeve.
Këto incidente edhe sot ngelen mister, si edhe pyetja se çka në fakt kishte ndodhur dhe kush i ka lansuar dhe për çka! A ishte qëllim i ndonjërës palë të negociatorëve që këto bisedime të ndërpriten dhe të mos arrihet sukse në Ohër apo ishte taktizim që të fitohet terren në bisedime apo të ndërpriteshin totalisht negociatat dhe të përfundonin aty ku kanë ngecur?!
Kështu më 8 gusht 2001, siç kujtojnë pjesëmarrësit e drejtëpërdrejtë në këto negociata, paraqitet një kthesë e papritur ku pala maqedonase tenton që t’i ndërpresë bisedimet dhe të fillojë me granatime të pozicioneve të UÇK-së si kundërpërgjigje të asaj që kishte ndodhur në Karpallëk, vend diku në mes Shkupit dhe Tetovës, ku një konvoj i ushtrisë maqedonase sulmohet nga një njësit i UÇK, ku humbën jetë 10 persona të uniformuar të forcave të sigurisë së RM-së.
“…më 8 gusht 2001 diku pas orës 9 në mëngjes më telefonoi dhe mu drejtua Menduh Thaçi, zëvendëskryetari i PDSH-së me këto fjali: ‘…profesor duhet urgjent të vini në Ohër se këta tuajt refuzojnë ta nëshkruajnë Marrëveshtjen…’. Në fillim u gjeta i habitur sepse ende nuk kishte ardhur koha e nënshkrimit dhe kishte ende tema për negociata dhe nuk e dija se çka kishte ndodhur sepse ende ishte herët e unë nuk i kisha dëgjuar lajmet. Për çfarë nënshkrimi bëhet fjalë Menduh?- e pyeta. Pala maqedonase do t’i ndërpresë bisedimet dhe të fillojë me granatime si përgjigje për atë që ka ndodhur në Karpallak. Me veturën me targa të Tetovës u nisëm për në Ohër. Në kthesën për në Prilep dhe Ohër policia kishte ngritur barrikade dhe duke parë targën e Tetovës, policët duke u dridhur, na i kontrolluan dokumentet dhe na shtrinë përdhe dhe e kontrolluan veturën. Kur u prezentuam se kush jemi dhe ku shkojmë mezi na dhanë leje të shkojmë drejtë. Aty mësuam se çka në të vërtet kishte ndodhur në Karpallak të Tetovës dhe pse policët ishin aq rigoroz dhe aq të frikësuar.” (Halili, 2019)
Në të njëjtën ditë, negociatorët maqedonas dhe shqiptarë u detyruan që t’i përfundojnë negociatat dhe nën presion të ndërmjetësuesve ndërkombëtar, që të mos dështojë i gjithi ky proces, ose të paktën të shpëtohet ajo që ishte arritur, a metej të diskutohej edhe për disa detaje, si edhe për çështjne e arsimit të lartë në gjuhën shqipe me financim shtetëror, palët ishin të detyruar që të nënshkruajnë Marrëveshjen, e cila zyrtarisht u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001 në Shkup, në prani të personaliteteve botërore, Havier Solana dhe Xhorxh Robertson.
“Me të arritur në Ohër e pyeta kryetarin Imer Imeri se çka po ndodh e ai mu përgjigj se vetë më në fund pajtohet ta parafoj Marrëveshjen por këtë refuzon ta bëjë kryenegociatori Naser Zyberi si edhe Abduladi Vejseli në cilësinë e nënkryetarit pasi ka ngelur pa negocuar Universiteti i Tetovës. Pasi kryetari Imer Imeri disa herë kishte biseduar me Solanën dhe pas këmbimit të fjalëve me Leotar dhe Van der Shtul, kryetarit i thashë se poqese Naseri, Abduladiu dhe Azizi nuk e parafojnë atëherë rradha më bie mua dhe këtë do ta bëjë. Më në fund Marrrëveshjen i pari e parafoi Imer Imeri pastaj Aziz Pollozhani. Siç dihet teksti i parafuar i Marrëveshtjes u nënshkrua në Shkup më 13 gusht 2001” (Halili, 2019).
Bibliography
Arkivi i PPD-së.
Halili, M. (2019, 12 29). Marrëveshja e Ohrit. (A. Shaqiri, Intervistuesi)
Mënaj, P. (2004). UÇK Mesazh dhe Shpresë Vëll II. Tranë.
Pardew, J. W. (2017). Peacemakers: American Leadership and the End of Genocide in the Balkans (Studies In Conflict Diplomacy Peace) . Lexington Kentucky: The University Press of Kentucky.
Љатифи, В. (2008). Преговорите за постигнување на Охридскиот договор . Скопје: Фондација Институт отворено општество- Македонија .