Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës shtetërore që po zhvillon në Shqipëri, ka vizituar qytetin e Beratit, me ç`rast kryetari i Bashkisë, Ervin Demo ia ka akorduar titullin “Patroni i Kalasë”, më i larti që e jep ky qytet, përcjell Fol Drejt.
Në një ceremoni të organizuar, në të cilën morën pjesë edhe anëtarë të Këshillit Bashkiak, Presidentja Osmani derisa ka pranuar titullin ka theksuar se ky nder që ia bën qyteti i Beratit e ngarkon gjithashtu me përgjegjësi për promovimin e Kalasë dhe trashëgimisë së pasur të Beratit, në përgjithësi.
“Titulli “Patroni i Kalasë”, bart në vete një përgjegjësi të madhe. Ai nënkupton jo vetëm një nder personal, por një angazhim për një kauzë më të madhe siç është mbrojtja e trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore. Kalatë sikurse kjo e Beratit nuk janë thjesht vetëm ngrehina fizike, por traditë dhe krenari e bartur ndër shekuj”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Sipas Presidentes Osmani, kalaja e Beratit është testament i brezave para nesh dhe një trashëgimi botërore që mbrohet nga UNESCO.
“Sikurse Shqipëria edhe Kosova ka trashëgimi të pasur kulturore, të denjë për UNESCO, organizatë në të cilën synojmë të anëtarësohemi, ndaj përvoja e Shqipërisë në këtë rrugëtim do të jetë mjaft e dobishme për ne”, është shprehur Presidentja në ceremoninë e pranimit të titullit.