Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka nënshkruar projektligjin e buxhetit prej 1.7 trilion dollarësh për vitin fiskal 2023.
Projektligji i buxhetit, i cili do t’i sigurojë financim qeverisë federale amerikane deri më 30 shtator 2023, kur përfundon viti fiskal 2023, iu dërgua për nënshkrim presidentit Biden pasi u miratua në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë bëhet e ditur se projektligji në fjalë është nënshkruar nga presidenti Biden.
Biden në llogarinë e tij në Twitter njoftoi se nënshkroi projektligjin e buxhetit që mori mbështetjen e të dyja palëve. “Një vit historik i përparimit po përfundon”, shkroi ai.
Duke theksuar se buxheti parashikon investime në kërkimin mjekësor, sigurinë, shërbimet shëndetësore të veteranëve, rimëkëmbjen nga fatkeqësitë dhe fondet e ligjit për dhunën kundër grave, Biden tha se buxheti do të sigurojë mbështetje të konsiderueshme për Ukrainën.
“Ne presim më shumë në vitin 2023”, tha presidenti amerikan./FolDrejt/