Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka marrë një telegram urimi nga presidenti amerikan Joe Biden, si dhe nga presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier nëpërmjet ambasadorit Jorn Rohde.
Biden në letrën e urimit u shpreh se është i kënaqur me arritjet e Kosovës e cila po i ndërton dhe forcon marrëdhëniet me fqinjët. “Jemi të kënaqur që Kosova po vazhdon të ndërtojë dhe forcojë marrëdhëniet e saj pozitive me vendet fqinje dhe do të vazhdojmë ta mbështesim përpjekjet tuaja drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke”, theksoi ndër të tjera ai.
Këtë e ka bërë të ditur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila në rrjetin e saj social në Facebook ka shkruar: “Jam e lumtur ta ndaj me ju urimin e Presidentit Biden për ditën e pavarësisë së Kosovës – 17 shkurtin, në të cilin ai potencon se Shtetet e Bashkuara mbesin partner i palëkundur i Kosovës. Presidenti Biden në këtë urim, duartroket punën dhe përkushtimin tonë për forcimin e demokracisë dhe në luftën kundër krimit e korrupsionit, teksa kërkon që dialogu të përqendrohet në njohje reciproke. Sipas tij, në Samitin për Demokraci, Kosova ka dëshmuar se është e gatshme ta ndajë përvojën me shtete të tjera, ndaj thekson se gjatë këtij viti Kosova vazhdimisht ka treguar lidership në arenën ndërkombëtare. Në urimin e tij, Presidenti Biden ka përsëritur faktin e lidhjes së veçantë, të cilën familja Biden e ka me vendin tone”.
Kurse, ambasadori Rohde ka vlerësuar përparimin e dukshëm në luftën kundër korrupsionit. U diskutua se me parametra të tillë, të cilët ndihmojnë në forcimin e rendit dhe të ligjit, krijohen kushte për investitorë të jashtëm./FolDrejt/