Presidenti amerikan Joe Biden shprehu pasditen e së premtes pakënaqësinë e tij për vendimin e Gjykatës së Lartë për ndalimin e abortit në SHBA. Këtë ditë, kreu i Shtëpisë së Bardhë e cilësoi si veçanërisht të trishtuar si për drejtësinë ashtu edhe për Amerikën.
Në fjalën e tij, presidenti amerikan u kthye kundër qeverisë së mëparshme republikane, ndërsa ngriti çështjen e sigurisë së grave që do të “detyrohen të rrisin fëmijën e përdhunuesit të tyre”.
“Shëndeti i grave dhe i kombit tonë është në rrezik”, tha Biden, i cili po ashtu tha se ky vendim e kthen Amerikën 150 vjet prapa.
Kujtojmë se Gjykata e Lartë amerikane i ka dhënë fund mbrojtjes kushtetuese gati 50 vjeçare për abortin, një vendim i shumicës së saj konservatore për të përmbysur çështjen historike të gjykatës.
Vendimi i së premtes pritet të çojë në ndalimin e abortit në afërsisht gjysmën e shteteve amerikane. Vendimi, i paimagjinueshëm vetëm pak vite më parë, ishte kulmi i përpjekjeve prej disa dekadash të kundërshtarëve të abortit, i mundësuar nga një krah i guximshëm i djathtë i gjykatës që është forcuar nga tre anëtarët e saj të emëruar nga ish-presidentit Donald Trump.
Vendimi erdhi më shumë se një muaj pas rrjedhjes së informacionit për një draft-opinion nga gjyqtari Samuel Alito që tregonte se gjykata ishte e përgatitur për të ndërmarrë këtë hap të rëndësishëm.
Sipas sondazheve të opinionit, vendimi e vë gjykatën në kundërshtim me shumicën e amerikanëve që favorizojnë mbrojtjen e së drejtës së abortit. /abcnews.al/