Presidenti çek Petr Pavel pret që mbështetja perëndimore për Ukrainën të bjerë me kalimin e kohës dhe kjo është një nga deklaratat e para të një anëtari të NATO-s që sinjalizon mundësinë e dobësimit të mbështetjes për Ukrainën, raporton Klix, përcjell Fol Drejt.
“Nëse mbështetja e ShBA-së zvogëlohet, mbështetja e një numri vendesh evropiane gjithashtu do të reduktohet. Ukraina duhet ta marrë parasysh këtë”, citohet të ketë thënë Petr Pavel nga gazeta gjermane Sueddeutsche Zeitung.
Pavel, i cili është një ish-gjeneral i NATO-s, tha se rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të vitit të ardhshëm do të ndikojë në mbështetjen evropiane për Ukrainën dhe Kievi duhet të kuptojë se ky vit është vendimtar.
“Ne duhet të marrim parasysh lodhjen e luftës dhe çfarë do të thotë për mbështetjen e vendeve perëndimore. Kjo do të ulet me kalimin e kohës,” tha ai, cituar nga gazeta gjermane, transmeton Al Jazeera.
Pavel, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale në janar, deri më tani ka mbështetur fuqishëm ndihmën e vazhdueshme ushtarake për Ukrainën.
Ai është një mbështetës i fortë i integrimit të vendit të tij në Bashkimin Evropian dhe NATO, që është një ndryshim në krahasim me ish-presidentin Miloš Zeman, i cili mbante marrëdhënie të mira me Moskën dhe Pekinin. /FolDrejt/