Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, sot theksoi domosdoshmërinë për një “reformë totale” në sistemin e arsimit dhe trajnimit në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
“Kemi nevojë për të bërë reformë totale të arsimit dhe trajnimit”, tha presidenti Erdoğan në ceremoninë e hapjes së një kompleksi të ri në Universitetin Ibn Haldun në Stamboll.
Ai tha se sistemi arsimor turk bazohet në përcjelljen e informacionit materialist tek fëmijët.
“Prioriteti ynë është të rrisim fëmijët tanë siç duhet, duke filluar me familjen. Kjo kërkon një reformë totale arsimore dhe trajnuese. E tëra që na duhet është të rrisim njerëz që i dinë mirë vlerat e tyre dhe të mbrojnë kulturën dhe historinë e tyre”, tha presidenti turk.
Duke nënvizuar rëndësinë e pavarësisë intelektuale, presidenti i Turqisë tha: “Pavarësia intelektuale qëndron si në pavarësinë politike ashtu edhe në atë ekonomike.”
“Askush nuk duhet të shqetësohet në kërkimin e fuqisë intelektuale. Ne presim që të gjithë të kontribuojnë në këtë kërkim”, tha Erdoğan, duke shtuar se Turqia ka nevojë për risi që frymëzohet nga traditat e saj.