Kryesia e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), të presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka njoftuar se do të mbështesë çdo nismë që do të çojë në largimin e Qeverisë aktuale të shtetit.
“DPS-ja mirëpret gatishmërinë e një pjese të shumicës parlamentare për të propozuar zgjidhje me përfaqësues të disa partive të pakicave, që do të çonin në zhbllokimin e institucioneve dhe përshpejtimin e procesit të bisedimeve me Bashkimin Evropian”, tha partia e presidentit të Malit të Zi.
Kështu u përgjigj DPS-ja ndaj nismës për të formuar një qeveri të pakicës, si një model për tejkalimin e krizës politike në Mal të Zi. Këtë propozim e ka prezantuar Lëvizja Qytetare Ura, që është në pushtet, dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS.
Këto dy subjekte, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 kishin garuar në kuadër të listës “E zeza mbi të bardhë”. Në ato zgjedhje, DPS-ja u rrëzua nga pushteti pas tre dekadash.
Gjatë prezantimit të propozimit për qeveri të pakicës, Lëvizja Qytetare Ura dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS thanë më 17 janar se në një qeveri të tillë nuk do të kishte vend për partinë më të madhe opozitare, Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe partinë më të fortë të koalicionit aktual, Frontit Demokratik (DF), parti pro-serbe.