Presidenti finlandez Sauli Niinisto komentoi vendimin e vendit të tij për t’u bashkuar me NATO-n veçmas nga Suedia fqinje, duke shpjeguar se refuzimi i Turqisë për të ratifikuar kandidaturën e Finlandës do të ishte problematik, shkruan Klix, përcjell Fol Drejt.
“A duhet ta kishim refuzuar ratifikimin turk? Kjo tingëllon pak e çmendur. Nëse do t’i kishim thënë ‘jo’ Ankarasë, do të kishte qenë një situatë shumë problematike,” tha Niinisto në një intervistë me transmetuesin publik suedez SVT që u transmetua në tërësi dje në mbrëmje.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka njoftuar se qeveria e tij do të fillojë procesin e ratifikimit për Finlandën, por jo për Suedinë. Pas dekadash neutraliteti, dy vendet skandinave aplikuan për anëtarësim në NATO majin e kaluar pas pushtimit rus të Ukrainës.
“Finlanda e përmbushi atë që ishte rënë dakord dhe ndërmori hapa të rëndësishëm në lidhje me marrëveshjen tonë nga qershori në Madrid dhe për këtë ne vendosëm të dërgojmë në Parlament vendimin për ratifikimin e anëtarësimit të tyre në NATO. Turqia mbështeti dhe mbështet politikën e dyerve të hapura kur vjen çështja te NATO”, tha dje Erdogan.
Stokholmi dhe Helsinki e kanë bërë të qartë se duan t’i bashkohen NATO-s së bashku. Turqia vazhdon të bllokojë pranimin e Suedisë për shkak të refuzimit të Suedisë për të ekstraduar 120 persona që Ankaraja i konsideron terroristë. Hungaria duhet ende të ratifikojë kërkesën e Finlandës dhe një vendim pritet më 27 mars. /FolDrejt/