Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu kanë marrë vendim që të veprojnë së bashku kundër Iranit.
Macron priti në Pallatin Elysee kryeministrin Netanyahu i cili mbërriti dje në kryeqytetin e Francës, Paris për të zhvilluar takime zyrtare, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Në një deklaratë nga Pallati Elysee thuhet se Macron dhe Netanyahu mbrëmë u takuan në një darkë pune kokë më kokë dhe diskutuan për shumë çështje rajonale, kryesisht për Iranin dhe Palestinën.
Macron i përcolli Netanyahut shqetësimet e tij lidhur me situatën aktuale në territoret palestineze dhe i rikujtoi se nevojitet distancim nga veprimet që do të nxisin spiralen e dhunës që shkakton humbe të jetëve mes civilëve palestinezë dhe izraelitë.
Duke i rikujtuar angazhimin e Francës për “status quo”-në historike të Xhamisë Al-Aksa, Macron i ka thënë Netanyahut se është kundër aktiviteteve të vendbanimeve të paligjshme hebreje të cilat minojnë shpresat për paqe në rajon dhe “mundësinë e një shteti palestinez” në të ardhmen.
“Mbështetja e Iranit për Rusinë rrit sanksionet”
Macron dhe Netanyahu diskutuan për çështjen bërthamore të Iranit, ku presidenti francez ka tërhequr vëmendjen se Irani duhet të jetë transparent në programin e tij bërthamor, në të kundërtën kjo do të ketë pasoja të pashmangshme.
Macron dhe Netanyahu shprehën në mënyrë të fuqishme shqetësimet e tyre lidhur me aktivitetet destabilizuese të Iranit në rajon.
Presidenti francez rikujtoi se mbështetja që Irani jep për agresivitetin rus në Ukrainë do të vendosë Iranin përballë sanksioneve.
Macron dhe Netanyahu morën vendim që të punojnë së bashku kundër Iranit si dhe theksuan dëshirat e tyre për thellimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve dhe për forcimin e marrëdhënieve në çdo fushë.
Macron përsëriti angazhimin e palëkundur të Francës për sigurinë e Izraelit.
Në takimin ku marrëdhëniet Izrael-Francë u trajtuan në shumë drejtime, Macron i përcolli Netanyahut mbështetjen e Francës në luftën kundër terrorizmit./FolDrejt/