G20, i cili përfshin vende nga Brazili në Indi, Arabinë Saudite dhe Gjermaninë, përbën më shumë se 80 për qind të prodhimit të brendshëm bruto botëror, 75 për qind të tregtisë ndërkombëtare dhe 60 për qind të popullsisë.
Samiti i liderëve të Grupit 20 (G20) u hap sot në ishullin Bali me kërkesën e Indonezisë, mikpritëse e samitit, për unitet dhe veprim konkret, që do të arrinte përmirësimin e situatës ekonomike globale, pavarësisht ndarjet e thella që ekzistojnë midis vendeve për luftën në Ukrainë.
“Nuk kemi mundësi të tjera, nevojitet bashkëpunim për të shpëtuar botën. G20 duhet të jetë një katalizator për rimëkëmbjen ekonomike gjithëpërfshirëse. Ne nuk duhet ta ndajmë botën në blloqe. Nuk duhet të lejojmë që bota të bjerë në një tjetër luftë të ftohtë”, tha Presidenti indonezian Joko Widodo në fjalimin e hapjes, para se liderët e vendeve më të pasura në botë të fillonin bisedimet me dyer të mbyllura, raporton Reuters, transmeton Fol Drejt.