“Vazhdimi i krizës politike mund ta tërheqë vendin në një labirint të rrezikshëm në të cilin të gjithë do të humbasin”, tha Barham Salih
Presidenti irakian Barham Salih u bëri thirrje sot forcave politike të vendit që të arrijnë konsensus për t’i dhënë fund krizës së formimit të qeverisë, shkruan AA.
Në një deklaratë, Salih tha se Iraku po kalon një “situatë të ndjeshme për shkak të ngërçit politik”, duke e futur vendin në një “labirint të rrezikshëm”.
Iraku nuk ka arritur të formojë një qeveri që nga zgjedhjet parlamentare të 10 tetorit të vitit të kaluar për shkak të mosmarrëveshjeve midis partive politike. Parlamenti i Irakut nuk ka arritur gjithashtu të zgjedhë presidentin e ri.
“Vazhdimi i krizës politike mund ta tërheqë vendin në një labirint të rrezikshëm në të cilin të gjithë do të humbasin dhe për këtë arsye të gjitha forcat politike sot kanë një përgjegjësi historike, kombëtare dhe morale për të ruajtur unitetin kombëtar”, shtoi ai.
Udhëheqësi irakian shprehu optimizëm për përfundimin e krizës nëse palët angazhohen në një “dialog serioz dhe efektiv” për të formuar “një qeveri kombëtare të aftë dhe efektive që mbron interesat e vendit”./FolDrejt/