Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, këtë të hënë ka deklaruar se vendi i tij do të vazhdojë që të ndjekë qëllimin e tij për tu bashkuar me NATO-n.
Zelensky në një konferencë të përbashkët me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, ka theksuar se pavarësisht zemërimit të Rusisë dhe rezervave të disa vendeve perëndimore ato nuk do të ndalen.
“Sot, shumë liderë po lënë të kuptohet për Ukrainën se është e mundur të mos rrezikohet, të mos ngrihet vazhdimisht çështja e anëtarësimit të ardhshëm në aleancë, sepse këto rreziqe janë të lidhura me reagimin e Federatës Ruse. Mendoj se duhet të ecim në rrugën që kemi zgjedhur”, ka thënë Zelensky.