Për herë të parë në historinë e Shqipërisë Presidenti Ilir Meta doli për të dëshmuar para deputetëve të Komisionit Hetimor që është ngritur për shkarkimin e tij. Ilir Meta i shoqëruar nga këshilltarët paraqiti mbrojtjen duke thënë se aktet e tij që lidhen me zgjedhjet kanë qenë publike dhe në mbrojtje të sigurisë kombëtare.
Presidenti Meta tha se kishte bërë përpjekje për zgjidhjen e krizës edhe para se të shpallte anulimin e datës së zgjedhjeve lokale të caktuara më 30 Qershor, por kishte hasur në dy pengesa: “Kokëfortësia e Kryeministrit për të mos diskutuar shtyrjen e datës 30 Qershor dhe kokëfortësia e Kryetarit të Opozitës për të mos u ulur në një tryezë me Kryeministrin.”
Ai tha se, edhe sipas raporteve ndërkombëtare, me afrimin e datës 30 Qershor, konfrontimi në vend po vinte duke u rritur, por pas dekretit për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve, “nuk kemi pasur akte dhune apo vandalizmi, si para datës 8 Qershor”. Presidenti Meta tha se kjo nuk ishte hera e parë që një President të shtynte zgjedhjet dhe se “kishte ndodhur edhe 5 herë të tjera më parë”.