Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas deklaroi sot se është i gatshëm t’i shtrijë dorën Izraelit për rifillimin e negociatave të paqes.
“Mundësia për zgjidhje me dy shtete në kufijtë e vitit 1967 mund të jetë e disponueshme vetëm sot. Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, tha Abbas në konferencën e përbashkët për media me presidentin e SHBA-së, Joe Biden në qytetin e Betlehemit në Bregun Perëndimor nën okupim, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“U zgjas dorën udhëheqësve të Izraelit për të bërë paqe”, shtoi ai.
Abbas bëri thirrje që t’i jepet fund pushtimit izraelit prej dekadash të territoreve palestineze dhe lejimin e palestinezëve të kenë “të drejtat e tyre legjitime” bazuar në rezolutat ndërkombëtare.
Udhëheqësi palestinez tha se Izraeli mund të pranohet të jetojë në paqe me fqinjët e saj në rajon me krijimin e një shteti palestinez.
Abbas bëri thirrje për rihapjen e Konsullatës së SHBA-së në Kudsin Lindor dhe heqjen e Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) nga lista e grupeve terroriste të SHBA-së.
“Ne nuk jemi terroristë”, theksoi ai.
Presidenti palestinez gjithashtu bëri thirrje që vrasësit e gazetares palestinezo-amerikane Shireen Abu Akleh të nxirren para drejtësisë.
Gazetarja palestinezo-amerikan Abu Akleh, 51-vjeç, e cila punonte për rrjetin Al Jazeera me bazë në Doha, u qëllua për vdekje më 11 maj teksa mbulonte një bastisje ushtarake izraelite pranë kampit të refugjatëve Jenin në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Ndërsa zyrtarët palestinezë dhe Al Jazeera akuzuan Izraelin për vrasjen e gazetares, Tel Avivi mohoi çdo përgjegjësi.
Biden mbërriti në Izrael të mërkurën në udhëtimin e tij të parë zyrtar në rajonin e Lindjes së Mesme, ku ai premtoi mbrojtjen e SHBA-së ndaj Izraelit. Më vonë është planifikuar që ai të niset për në Arabinë Saudite./FolDrejt/