Presidenti i Polonisë Andrzej Duda ka thënë se raketa që ra në vend dje ishte “me siguri e përdorur nga mbrojtja ajrore e Ukrainës”, shkruan Sky News, përcjell Fol Drejt.
Duke folur me gazetarët, Z. Duda tha se Polonia ishte ende duke e analizuar mundësinë e nisjes së procedurës së Nenit 4 të NATO-s, por dukej se mund të mos ishte e nevojshme të përdoret kjo masë.
Ai vazhdoi duke thënë se nuk kishte indikacione se shpërthimi i raketës në Poloni që vrau dy persona ishte një “sulm i qëllimshëm”, duke e përshkruar atë si një aksident fatkeq.
“Nga informacionet që kemi ne dhe aleatët tanë, ishte një raketë S-300 e prodhuar në Bashkimin Sovjetik, një raketë e vjetër dhe nuk ka asnjë provë që është lëshuar nga pala ruse”, tha zoti Duda.
“Ka shumë të ngjarë që të jetë hedhur nga mbrojtja kundërajrore ukrainase.”
Më herët, presidenti i SHBA Joe Biden tha gjithashtu se nuk ka gjasa që Rusia ta ketë lëshuar raketën, por shtoi se “do të shohim”.
Raketa ra në fshatin rural Przewodow, i cili ndodhet rreth katër milje në perëndim nga kufiri ukrainas. /FolDrejt/