Presidenti rus, Vladimir Putin dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping do të takohen sot në Uzbekistan ne kuadër të samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait.
Dy liderët do të diskutojnë për çështje delikate, lufta në Ukrainë dhe marrdhëniet tensionuse Kinë-Tajvan.
Kujtojmë se Kina bën pjesë te vendet që kanë refuzuar të kritikojë luftën e Rusisë në Ukrainë dhe ka denoncuar sanksionet perëndimore kundër Moskës.
Nga ana tjetër, Rusia ka mbështetur fuqishëm Kinën, pas përshkallëzimit të marrëdhënieve me SHBA-të, pas vizitës së fundit në Tajvan nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, shkruan skynews.
Bisedimet mes dy liderëve vijnë pas takimit të tyre në shkurt, kur udhëheqësi rus mori pjesë në hapjen e Lojërave Olimpike të Pekinit pak përpara se të dërgonte trupat ushtarakë në Ukrainë.
Udhëheqësit kanë zhvilluar lidhje të forta personale për të forcuar një “partneritet strategjik” midis rivalëve ish-komunistë, pasi ata të dy tani janë të bllokuar në rivalitet me SHBA.
Edhe pse Moska dhe Pekini në të kaluarën përjashtuan një aleancë ushtarake, Putin ka thënë se një perspektivë e tillë nuk mund të përjashtohet.
Por për të dy liderët, samiti është një mundësi për të treguar një front të bashkuar ndaj Perëndimit, veçanërisht SHBA-së, e cila ka udhëhequr fushatën e sanksioneve kundër Rusisë dhe ka zemëruar Pekinin me lëvizjet për të mbështetur Tajvanin.
Putin dhe Xi do të diskutojnë mes të tjerash për Ukrainën dhe Tajvanin në një takim që Kremlini thotë se ka “rëndësi të veçantë” duke pasur parasysh situatën aktuale gjeopolitike./abcnews.al./