Pallati Elysee në Paris u bë qendër e mikpritjes së liderëve nga mbarë bota. Shënimi i 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore ishte mesazh botëror për rëndësinë e madhe të paqes. Kosova zuri një vend të posaqëm në këtë takim.
Prezenca e Presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçit dhe vendosja e tij në të njëjtin vend me liderët më të fuqishëm të botës përbën një lajm mjaft të rëndësishëm për zhvillimet e mëtutjeshme të vendit tonë e sidomos në arritjen e një marrëveshje me Serbinë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Presidenti Thaçi, zhvilloi takime me liderët më të fuqishëm të botës duke filluar nga presidenti amerikan Donald Trump. Në postimin e tij për takimin që pati me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, presidenti Thaçi ndër të tjera tha se në këtë periudhë të rëndësishme për Kosovën ishte inkurajuese të dëgjoj se presidenti Trump mbështet “100% arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Takim tjetër të rëndëishëm presidenti Thaçi pati edhe me kancelaren gjermane Angela Merkel ku u diskutua për rëndësinë historike të arritjes marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. “Përkrahja gjermane është përcaktuese për arritjen e kësaj marrëveshjeje e cila ofron edhe më tepër rajonin me Bashkimin Evropian, si dhe e forcon paqen dhe stabilitetin në tërë Ballkanin Perëndimor” ka shkruar presidenti pas këtij takimi. Me kancelaren gjermane presidenti Thaçi është takuar edhe gjatë ditës së sotme, ku e kanë diskutuar për të njëjtën temë. Presidenti I Kosovës u takua edhe më presidentin francez Emanuel Makron I cili edhe ishte nikoqir i kësaj ngjarje të madhe.
Thaçi u shpreh mirënjohës për Francën, e cila e ka nderuar Kosovën njësoj sikur të gjitha shtetet e tjera pjesëmarrëse në shënimin e 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
“Kjo ishte një mundësi shumë e mirë për të biseduar me liderët botërorë për bashkëpunimin dhe forcimin e paqes në rajonin tonë dhe në botë” ka shkruar presidenti.
Ajo që ishte më befasuese por mjaft e rëndësishme në Paris, ishte takimi i presidentit Thaçi me presidentin rus Vlladimir Putin.
Marrëveshja Kosovë-Serbi ishte pjesë edhe e këtij takimi. Në profilin e tij zyrtarë në facebook Presidenti Thaçi ka cituar presidentin Putin i cili në këtë takim ka thënë se “Në rast se ju Kosovë–Serbi arrini marrëveshje paqësore, Rusia do ta mbështes këtë marrëveshje”.
Si gjithmonë raportet me Turqinë Thaçi i ka vlerësuar të rëndësishme për paqen në Ballkan por edhe më gjerë. Ai është takuar edhe me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan ku ka cituar se Erdogan është një mik i vërtetë dhe mbështetës i fortë i Kosovës dhe Ballkanit.
“Jemi gjithmonë mirënjohjes ndaj tij dhe Turqisë për mbështetjen në rrugën tonë të lirisë, pajtimi dhe integrimit Euro-Atlantik”, ka shkruar ndër të tjerash Thaçi.
Presidenti Thaçi ka folur edhe në Forumin e Paqes në Paris ku ka kërkuar mbështetjen për përpjekjet tona dhe të Evropës për forcimin e paqes përmes dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian edhe në takimet e tjera me liderët tjerë, miq të Kosovës. Kjo pritje dhe trajtim që iu bë Presidentit Thaci, nuk iu bë as presidentit serb Aleksandër Vucic por as liderëve tjerë të Ballkanit. Vetë presidenti Vuçiq ka deklaruar se ndihet i ofenduar nga pritja që i është bërë atij, ndërsa mediat serbe kanë shprehur tërë mllefin e tyre për pritjen që iu bë Presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçit.