Sot në Austri mbahen zgjedhjet presidenciale ndërkohë që ka votuar edhe presidenti aktual Alexander Van der Bellen i cili ka paraqitur kandidimin e tij për herë të dytë.
Van der Bellen bashkë me bashkëshorten e tij Doris Schmidauer votuan në një shkollë fillore në rajonin 3 të kryeqytetit, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në deklaratat e tij para dhe pas votimit, Van der Bellen tha se zgjedhjet janë ditë feste për demokracitë dhe se çdo votë është e rëndësishme dhe me vlerë.
Van der Bellen bëri të ditur se në zgjedhje kanë hyrë 7 kandidatë, përfshirë edhe veten e tij dhe se gara ku ndodhen 6 rivalë po kalon mirë ndërkohë që çdo kandidat është përpjekur të bindë votuesit me mënyrën dhe drejtimin e tij.
– Theksi për fitore të zgjedhjeve në raundin e parë
“Sigurisht që nëse sot arrijmë një përfundim të qartë do të jetë mirë për ne dhe për Austrinë. Në këtë mënyrë mund të fokusohemi më mirë ndaj krizave të ndryshme në fusha të ndryshme që janë në interesin e Austrisë dhe Evropës”, tha Van der Bellen i cili sipas sondazheve publike pritet të fitojë zgjedhjet në raundin e parë.
Pasi vuri në dukje se respekton çdo rezultat që do të dalë nga zgjedhjet, Van der Bellen tha se nëse sot nuk arrihet një votë mbi 50 për qind në raundin e parë, në muajin nëntor në vend do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve dhe se demokracia funksionon në këtë mënyrë.
Në Austrinë me rreth 9 milionë banorë ka rreth 6.4 milionë votues./FolDrejt/