Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, u takua me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier në Berlin, raporton Anadolu, transmeton Fol Drejt.
Zelenskyy, i cili është në vizitën e tij të parë në Gjermani që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës më 24 shkurt 2022, u mirëprit nga Steinmeier në pallatin presidencial Schloss Bellevue në kryeqytetin Berlin.
Zelenskyy sot është takuar edhe me kancelarin gjerman Olaf Scholz.
Kancelari gjerman dhe Zelenskyy do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media pas takimeve mes delegacioneve.
Gjatë ditës, pritet që Zelenskyy-t t’i jepet çmimi ndërkombëtar “Karli i Madh”.
Në kryeqytetin Berlin janë marrë masa të rrepta sigurie. Për shkak të vizitës së Zelenskyy-t, janë mbyllur hapësira ajrore e Berlinit dhe rrugët rreth pallatit presidencial Schloss Bellevue, si dhe zyrës së kancelarit gjerman.
Në disa ndërtesa në rajon ku janë marrë masa të rrepta sigurie janë vendosur snajperët, ndërsa në rrugë vërehen forca të shumta policie dhe helikopterë në ajër.
Mediat gjermane njoftuan se Zelenskyy mbërriti nga Roma me një aeroplan A319 të Forcave Ajrore Gjermane.
Avioni, i cili transportonte Zelenskyy-n, u shoqërua nga dy avionë luftarakë Eurofighter që u ngritën nga baza ajrore Lechfeld në Bavari./FolDrejt/