Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, në Ditën kundër Trafikimit me Njerëz, ka thënë se mobilizimi i institucioneve duhet të jetë i përbashkët, për ta luftuar fenomenin e trafikimit me qenie njerëzore, shkruan Fol Drejt.
“Hapësira vepruese për trafikuesit vetëm sa është rritur në këtë vit duke pasur parasysh edhe krizën globale që është shkaktuar si rrjedhojë e luftës ilegale të Rusisë kundër Ukrainës që ka cenuar rëndë rendin global dhe ka ndikuar që bota përgjithësisht të shndërrohet në ambient të pasigurtë. Ajo e ka zgjeruar shumëfish edhe terrenin për trafikantët me qenie njerëzor” – ka thënë ajo ndër të tjera.
Sipas saj, krizat e shumta si ajo e luftës, ajo energjetike, parametrat e ndryshuar ekonomikë, tendencat destabilizuese si dhe sfidat e sundimit të ligjit gjithandej globit “kanë mundësuar hapësirë gjithnjë e më të favorshme për trafikim me njerëz”.
Presidentja Osmani kërkoi anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe në Këshillin e Evropës, pasi sipas saj, këto anëtarësime do të ndikonin në bashkërednimin e mirë me vendet e tjera në ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe në luftimin e dukurive të tilla.
“Anëtarësimi në Inteprol dhe Këshillin e Evropës do të vuloste përpjekjet tona për luftim të krimit të organizuar dhe rrjetit të trafikantëve në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të fuqizonte përpjekjet tona për përparim të mëtejmë duke i dhënë përparësi edhe miratimit të masave e procedurave të veçante për identifikimin e viktimave të trafikimit dhe ofrimin e ndihmës së duhur”, është shprehur ajo, duke shtuar se Kosova me gatishmërinë e saj, e meriton plotësisht integrimin në këta mekanizma./FolDrejt/