Vjosa Osmani e ka vizituar sot komunën e Gjilanit.
Presidentja e Republikës së Kosovës me këtë rast është pritur nga Kryetari Alban Hyseni, transmeton Fol Drejt.
Në konferencën për media, Presidentja Osmani ndër të tjera ka premtuar angazhim për zgjidhjen e problemit të ujit të pijes në këtë komunë.
“Diskutuam edhe për problemet e shumta me të cilat ballafaqohet kjo komunë, natyrisht, unë meqenëse e kaloj një pjesë të rëndësishme të vitit këtu në Komunën e Gjilanit, i shoh dhe i preku këto probleme. Natyrisht, njëra nga to është çështja e ujit të pijes” – ka thënë ndër të tjera presidentja, duke premtuar se do të angazhohet që ky problem të zgjidhet sa më parë.
Hyseni, nga ana tjetër, ka falënderuar presidenten që e ka zgjedhur Gjilanin si destinacionin e parë në maratonën e saj të vizitave brenda vendit, duke thënë se është i nderuar.
Ai tha se e ka njoftuar shkurtimisht presidenten për problemet me të cilat ballafaqohet komuna, ndërsa ka theksuar se kanë “marrë mbështetje, jo vetëm ne si komunë, por të gjitha komunat e tjera, për të ndihmuar dhe për të shtyrë projektet e përbashkëta.”
Presidentja nuk ka hezituar ta lavdëroj kryetarin Hyseni, për projektet, siç i ka cilësuar ajo “inkurajuese”. Ajo ka paralajmëruar se ditëve në vijim, do të vazhdojë me vizita të tjera nëpër komunat e tjera të Kosovës./FolDrejt/