Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia vizituan Klinikën e Gjinekologjisë, në të cilën po realizohen parapërgatitjet finale për t`u funksionalizuar shërbimet e reja të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor dhe Citogjenetikës, transmeton Fol Drejt.
Siç njofton Presidenca, presidentja Osmani dhe ministria Vitia u pritën në takim nga drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj dhe nga stafi mjekësor, e të cilët më pas bashkërisht vizituan edhe repartin ku do të fillojë që të ofrojë shërbimet e IVF.
Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e ofrimit të këtij shërbimi për qytetarët.
“Një shërbim, i cili qifteve në Republikën tonë deri tani iu ka kushtuar diku rreth 5 milion euro, dhe që tani e tutje, pas procedimit edhe me blerjen e aparaturës, e cila siç diskutuam me ministrin pritet të përfundojë gjatë këtij viti, do të jenë pra, shërbime që do të ofrohen edhe në institucionet publike shëndetësore. Në një repart, i cili ishte rinovuar dhe është tërësisht i ri dhe do të mund të ofrojë shërbime jashtëzakonisht cilësore për qiftet e reja që dëshirojnë të bëhen prindër, dhe do t’i shfrytëzojnë natyrisht metodat e fertilizimit të asistuar mjekësor”, ka thënë Presidentja Osmani.
Më tej presidentja Osmani ka falënderuar ministrin, drejtorin dhe gjithë stafin për punën e palodhshme në mënyrë që këto shërbime sa më parë që të jetë e mundur të fillojnë t’ju ofrohen qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Duke e ditur siç e përmenda sa shumë kanë kushtuar ato për dekada të tëra për qytetarët tanë, dhe në të njëjtën kohë si Presidente kam ofruar gjithë përkrahjen e nevojshme për aq sa kemi kompetenca në mënyrë që të ndihmohet jo vetëm ky sektor, por Klinika e Gjinekologjisë në veçanti, si një Klinikë edhe ku fillon jeta. Dhe kam pas mundësinë që për së afërmi ta shoh nga lindja e fëmijëve të mi, por edhe në shumë vizita që i kemi pasur përgjatë viteve, sfidat me të cilat ballafaqohet kjo klinikë dhe këto sfida duhet të merren me urgjencë”, ka theksuar Presidentja.
Presidentja Osmani së bashku me ministrin Vitia së bashku me stafin kanë diskutuar edhe për që sa më parë që të jetë e mundur të trajtohet ndryshimi i ligjit për prokurim publik.
“Shpeshherë vonesat që bëhen në procedurat e prokurimit, që nuk janë vonesa që janë në duart e mjekëve apo edhe të ministrit shkaktojnë vonesa totalisht të paarsyeshme qoftë për furnizim me materiale mjekësore, qoftë për furnizim me barna, qoftë për furnizim me aparaturë dhe të gjitha këto pastaj shkaktojnë edhe rrezikim të jetëve njerëzore, rrezikimi të jetës së qytetarëve tanë. Prandaj, procedurat e prokurimit sa i përket çështjeve të shëndetësisë besoj se duhet të trajtohen njësoj si procedurat e prokurimit të sigurisë kombëtare. Pra, në atë nivel. Në nivel shumë më të lartë, dhe të kryhen në procedura më të përshpejtuara, natyrisht duke marrë për bazë edhe modelet më të mira ndërkombëtare e evropiane, që na mundësojnë që të parandalojmë keqpërdorimet, por në të njëjtën kohë është e patolerueshme që për vite të tëra këto procedura të prokurimit të stërzgjasin edhe vet furnizimin e klinikave tona me mjetet që atyre u duhen, në mënyrë që të ofrohen shërbime shëndetësore për qytetarët tanë’, ka theksuar Presidentja.