Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka reaguar pas humbjes tragjike të dy anëtarëve të familjes si pasojë e vërshimeve të mbrëmshme në Pejë.
Duke ngushëlluar familjarët e viktimave dhe gjithë qytetarët e kësaj komune, Osmani është shprehur se kjo humbje ka tronditur gjithë Kosovën.
“Humbja e dy qytetarëve tanë si pasojë e vërshimeve në Pejë ka tronditur gjithë Kosovën. I shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve, miqve, kryetarit të Komunës z. Gazmend Muhaxheri dhe gjithë qytetarëve të komunës së Pejës për këtë humbje të madhe e kaq tragjike.
Forca e Sigurisë së Kosovës dhe gjithë institucionet e tjera që merren me emergjenca të tilla janë në Pejë që nga mbrëmë duke ofruar ndihmën dhe përkrahjen e tyre. Në këto momente të rënda, është me rëndësi që përkrahja të vazhdojë në mënyrë që komuna e Pejës të përballojë dhe të rikuperohet nga kjo situatë e vështirë e tragjike.”, ka shkruar presidentja Osmani në profilin e saj zyrtar në Facebook./FolDrejt/