Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një bisedë me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri më 24 shtator.
Osmani tha se “veprimet terroriste dhe akti i agresionit” janë të orkestruara dhe të mbështetura nga Beogradi.
“Veprimet e tilla përbëjnë cenim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe për këto veprime duhet sanksionuar Serbinë”, tha Osmani sipas një njoftimi për media.
Presidentja e Kosovës po ashtu tha se veprimet e Policisë në veri janë legjitime dhe janë në kuadër të “realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim”.
Sarrazin është takuar sot edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, një ditë pas ngjarjeve në veri.
Kurti e ka informuar atë për veprimet që po merr Kosova pas ngjarjeve të së dielës./FolDrejt/