Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka folur rreth çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në emisonin Rubikon të klan kosovës, Osmani ka bërë me dije se komunat mund të bashkohen me njëra-tjetrën në formë të organizatave joqeveritare, mirëpo sipas saj ato nuk duhet të jenë të një etnie kombëtare, transmeton Fol Drejt.
“Për asociacionin ka një nen në këtë dokumentin e vitit 2015 që kërkon që patjetër të kalojë nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe ajo është si një lloj parakushti për vetë-zbatimin e saj. Pra duke respektuar vendimin e Kushtetueses ne po e respektojmë edhe vetë marrëveshjen”.
“Asociacioni siç e dini është i paraparë si një mundësi edhe në ligjet aktuale të Republikës së Kosovës edhe fare pa i ndryshuar – ato që janë miratuar para një dekade. Parashohin që komunat mund të bashkohen me njëra tjetrën në formë OJQ-së ku ato pastaj lobojnë për më shumë të drejta tek niveli qendror”.
“Që është krejt normale sepse të njëjtën e bën Asociacioni i Komunave të Kosovës tani. Ama Gjykata Kushtetuese e ka sqaruar se kur bashkohen komunat në asociacione, nuk mund të jenë një-etnike, nuk mund të kenë kompetenca ekzekutive sepse Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon një gjë të tillë”, ka thënë ndër tjerash Osmani në Rubikon./FolDrejt/