Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 24-vjetorin e Masakrës në qytetin e Vushtrrisë, transmeton Fol Drejt.
Osmani, në fjalën e saj përkujtuese ka thënë se liria dhe paqja do të kenë kuptim atëherë kur drejtësia për viktimat të vihet në vend.
“Përpjekja për shfarosje dhe spastrim etnik nga regjimi gjenocidal i Serbisë u manifestua edhe më 22 maj të vitit 1999, kur nga shtëpitë e tyre u dëbuan me dhunë banorët e rrugës që në atë kohë mbante emrin “Abdullah Shabani” në Vushtrri. 68 prej tyre, në mesin e të cilëve edhe fëmijë dhe pleq u ndaluan në shtëpinë e Kahriman Pasomës dhe pas torturave barbare u ekzekutuan mizorisht.
Pas përfundimit të luftës, trupat e shumicës së të vrarëve janë gjetur në varrezën masive në Batajnicë të Serbisë, me qëllim që të humben gjurmët e krimit.”, është shprehur presidentja Osmani.
“Ndërkaq banorë të tjerë të kësaj lagjeje, i kanë grumbulluar te varrezat e qytetit dhe pasi që i kanë plaçkitur, një pjesë i kanë vendosur dhe torturuar në sallën e sportit, të tjerë në burgun e Smrekonicës, teksa një pjesë i kanë dëbuar për në Shqipëri.
Liria dhe paqja do të kenë kuptim kur drejtësia për viktimat të vihet në vend.
Kujtim dhe nderim i përhershëm për martirët, sikurse edhe angazhim i pareshtur për ndëshkimin e këtij krimi duke sjellë autorët para drejtësisë.”, ka shtuar ajo tutje./FolDrejt/