Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në 15-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës ka thënë se mbetet detyrë dhe prioritet i përbashkët që me punë e përkushtim, të respektohen dhe zbatohen vlerat kushtetuese, të cilat ndër të tjera janë edhe shpërfaqje e identitetit të popullit të Kosovës.
“Sot festojmë miratimin e Kushtetutës së Republikës Kosovës- Aktit themeltar të shtetit tonë.
Kushtetuta jonë është frymëzim për liritë dhe të drejtat qytetare, për barazi para ligjit dhe vlera të tjera, përmes të cilave, kjo kushtetutë na mban brenda familjes së madhe evropiane.”, ka thënë Osmani.
“Është detyrë e përbashkët, që nëpërmjet ruajtjes së sovranitetit, integritetit territorial, respektimit të vullnetit të popullit, garantimit të lirive qytetare pa dallim, t’i mbrojmë dhe avancojmë këto vlera, duke u bazuar gjithnjë në frymën dhe shkronjën e Kushtetutës.
Mbetet detyrë dhe prioritet i yni i përbashkët që me punë e përkushtim, t’i respektojmë dhe zbatojmë këto vlera kushtetuese, të cilat ndër të tjera janë edhe shpërfaqje e identitetit tonë.”, ka shtuar tutje ajo./FolDrejt/