Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka arritur në vendin ku do të mbahet samiti i parë i Komunitetit Politik Evropian.
Osmani tha se është prezente në këtë samit për ta përfaqësuar Kosovën në këtë platformë të re, ku, siç tha ajo “secili prej tyre do ta ketë mundësin që t’iu dëgjohet zëri”.
Tutje, e para e shtetit tha se janë bashkë për të sjellë përpara ide dhe të marrin pjesë në veprime, kur bëhet fjalë për sfidat e përbashkëta me të cilat po përballet Evropa.
“Mezi pres të marr pjesë në diskutime si dhe të kem takime dypalëshe me liderët e Evropës. Natyrisht, ajo që ne përballemi është e madhe, sfidat janë të mëdha, por jam shumë e bindur se nëse qëndrojmë të bashkuar, do të jemi të suksesshëm në përballjen me secilën prej këtyre sfidave”, është shprehur Osmani në pritjen zyrtare të këtij samiti, njofton Klankosova.tv.
Kujtojmë se Osmani do të takohet me presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz.