Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me ambasadorë të shteteve të QUINT-it, kanë bërë homazhe te Memoriali u ushtarëve të rënë të NATO-s për lirinë e Kosovës, në 24 vjetorin e fillimit të intervenimit të NATO-s, me të cilin iu dha fundi gjenocidit të regjimit gjenocidal të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës.
“Miku i madh i Kosovës, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton në ditën e dhënies së urdhrit për fillimin e bombardimeve në një fjalim historik të tij, deklaroi se: ‘forca jonë ushtarake iu bashkuan aleatëve tanë të NATO-s në sulmet ajrore kundër forcave serbe, përgjegjëse për brutalitetin kundër Kosovës’”, theksoi Presidentja Osmani.
Më tej, Presidentja Osmani theksoi se NATO-ja ia pamundësoi regjimit kriminal spastrimin etnik të popullit të Kosovës.
“Prandaj u jemi përherë mirënjohës. 24 Marsi është dita e kthesës, shpresës dhe lirisë. Do ta përsërisim çdo herë se populli i Kosovës ishte viktimë më 1999, ndërkaq Serbia ishte agresore. Kështu do të jetë gjithnjë në analet e historisë”, është shprehur Presidentja Osmani.
Sipas Presidentes Osmani, liria është një guri themeltar i dinjitetit njerëzor.
“Megjithatë, këto vlera nuk janë gjithmonë të lehta për t’u ruajtur. Po jetojmë në një kohë kërcënimesh për të gjithë ne. Prandaj, sërish botës së lirë i duhet unitet kundrejt tiranëve, autoktratëve e diktatorëve. Ne duhet ta dëshmojmë se paqja dhe liria nuk janë ideale të dëshiruara, por realitete të jetuara. Ne e çmojmë kontributin e miqve tanë, ndaj duke ruajtur aleancën me partnerët tanë do ta ruajmë lirinë dhe të ardhmen tonë”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani ka falënderuar gra e burra të shteteve anëtarë të NATO-s, për kontributin e tyre më 1999 për lirinë e Kosovës dhe ka potencuar se secili nga ta gëzon mirënjohjen e thellë e të vazhdueshme të popullit të Kosovës./FolDrejt/