Presidentja Osmani, bashkë me kryeministrin Kurti dhe kryeparlamentarin Konjufca, nënshkroi sot dokumentin për aplikim në Bashkimin Evropian.
Me rastin e nënshkrimit të këtij dokumenti, presidentja Osmani u shpreh se sot po e sjellin Kosovën një hap më afër BE-së.
“Sot është një ditë historike. 14 dhjetori nga sot ka një rëndësi të dyfishtë në historinë moderne të Kosovës. Në njërën anë po shënojmë aplikimin për anëtarësim në BE dhe në anën tjetër kemi përvjetorin e Ushtrisë së Kosovës”.
“Së bashku me Konjufcën dhe Kurtin, në emër të Republikës së Kosovës po marrim një hap vendimtar drejt jetësimit të ambicies sonë të patjetërsueshme. Ne sot po e sjellim Kosovën një hap më afër BE-së”.
“Për Kosovën dhe qytetarët e saj nuk ka pasur asnjëherë alternative tjetër, ëndrrat bëhen realitet vetëm kur punohet dhe veprohet. Ky akt u dedikohet të gjithë qytetarëve të vendit tonë”, tha Osmani.
“Ky moment i dedikohet çdo fëmije, gruaje e burri të Kosovës që sakrifikuan jetën dhe që u përballën padrejtësisht me gjenocid e okupim”.
“Shteti më i ri në kontinentin më të vjetër, vend i pluralizmit politik, Kosova e ekonomisë së tregut të lirë, e meriton të jetë pjesë e familjes së BE-së”,
“Rruga jonë përpara është e qartë, procesi mund të jetë afatgjatë, por ne do ta bëjnë punën tonë, në mënyrë që BE-ja ta ketë më të lehtë ta bëjë punën e saj”, shtoi ajo tutje./FolDrejt/