Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, ka pritur këtë të enjte Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, raporton Fol Drejt.
“Presidentja Osmani ka ritheksuar se Republika e Kosovës mbetet e angazhuar për një proces, i cili i kontribuon paqes afatgjate, sigurisë dhe prosperitetit të qëndrueshëm në rajon”, thuhet në komunikatën për media të lëshuar nga Presidenca.
Në komunikatë thuhet se Presidentja Osmani ka theksuar se aneksi i zbatimit të marrëveshjes bazë të arritur në Bruksel ndërmjet palëve, duhet të jetë “në frymën e parimeve të miratuara në Kuvendin e Kosovës”, ndërsa ka përmendur në këtë rrafsh paprekshmërinë e sovranitetit dhe integritetit territorial si dhe kushtetutshmërisë.
“Presidentja Osmani ka thënë se Kosova mbetet palë konstruktive në procesin e dialogut dhe e koordinuar me partnerët e saj, ndërsa ka ritheksuar se fjalën përfundimtare rreth një marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës në përputhje me procedurat kushtetuese.
Presidentja Osmani gjithashtu ka mirëpritur vendimin e sotëm të Këshillit të Bashkimit Evropian ku në mënyrë unanime është miratuar e drejta e qytetarëve të Kosovës për të udhëtuar në shtetet e zonës Schengen pa vizë”, thuhet mes tjerash në komunikatë.
Emisari Lajçak pritet që përgjatë qëndrimit në Kosovë, përveç me krerët më të lartë të shtetit, të takohet edhe me partitë opozitare, e më pas ta vijoj vizitën në Beograd./FolDrejt/