Presidentja, Vjosa Osmani ka pranuar sot letrat kredenciale nga ambasadori i ri i SHBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier.
Osmani ka thënë se marrëdhënia e ngushtë me ShBA-të mbetet e pa ndryshuar.
“Kosova” – ka thënë ajo “sot është shumë ndryshe nga Kosova të cilën e kujton ambasadori sepse ka ecur përpara, por një gjë është e njëjtë, marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jemi të bekuar të kemi ShBA-të pranë nesh me çdo hap të rrugëtimit tonë. Në këtë kapitull të ri të bashkëpunimit shpresoj të forcojmë edhe me tej marrëdhëniet tona. Besoj fuqishëm se pavarësisht sa i madh apo i vogël mund të jetë një shtet ne te gjithë mund të japim kontribut për paqen në rajon dhe botë”, ka thënë Osmani.
Osmani i garantoi ambasadorit se SHBA nuk do të gjejë asnjëherë aleat më të përkushtuar dhe të besuar se sa.
Ambasadori Hovenier deklaroi se është nder të shërbejë në Kosovë dhe do ta përcjellë përkushtimin e SHBA-së.
“Duhet falënderuar njerëzit e Kosovës që kanë punuar për të ndërtuar një shtet të suksesshëm. Është nder për karrierën time që kam punuar në procese që kanë pasur të bëjnë për Kosovën dhe nder që do të punojë këtu. Ka ende shumë punë për të bërë, si në çdo shtet. SHBA-ja është partnere e qëndrueshme e Kosovës. Do të punojmë me ju, me Qeverinë, me shoqëritë civile, me qytetarët tuaj. Zotimet e presidentes për zhvillimin e institucioneve të pavarura, sistemit gjyqësor, janë shumë të rëndësishme që të ecim përpara drejt institucioneve euro-atlantike. Është fillim i një dialogu dhe është një hap i mrekullueshëm”, ka thënë Hovenier.
Hovenier, i cili luajti një rol në negociatat që përfundimisht çuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, u emërua në këtë post nga presidenti Joe Biden në korrik 2021 dhe u konfirmua unanimisht nga Senati i SHBA-së më 18 nëntor. /Telegrafi/