Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në një audiencë private nga Papa Françesku në Selinë e Shenjtë.
Siç njofton vetë presidentja Osmani, ajo e ka njoftuar Papën me vendosmërinë e popullit të Kosovës për ta kultivuar e promovuar më tej paqen, harmoninë dhe bashkëjetesën ndërmjet njerëzve, si vlera mbi të cilat janë kultivuar e ruajtur prej afro dymijë vjetësh edhe raportet e shqiptarëve me Selinë e Shenjtë.
“Në mënyrë të veçantë e falënderova Atin e Shenjtë për kujdesin që ai po tregon ndaj Kosovës dhe e falënderova për vendimin e tij të para pesë vjetëve, që Administratën Apostolike ta ngrinte në nivel të dioqezës. Ishte kënaqësi e veçantë po ashtu që të shkëmbeja me të pikëpamjet mbi orientimin euroatlantik të Kosovës dhe progresin e vendit tonë drejt këtij synimi.”, ka thënë tutje presidentja Osmani.
Siç ka bërë ajo me dije, thellimi i mëtejmë i raporteve me Vatikanin dhe zgjerimi i bashkëpunimit në shumë fusha janë orientimi i përbashkët.
“Synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani kontribuon në këtë drejtim dhe në avancimin e mëtejmë të raporteve tona shekullore”, ka shtuar tutje presidentja./FolDrejt/