Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim deputetin David Lammy, njëherësh sekretar i Jashtëm nën hije i Partisë Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar.
Siç njofron Presidenca e Kosovës, në takim me deputetin Lammy, Presidentja Osmani ka falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës që nga vitet e 90-ta dhe në këtë kontekst kërkoi mbështetje të metëjme për sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova në këtë periudhë, transmeton Fol Drejt.
“Presidentja theksoi se Kosova, si një sukses i përbashkët i popullit të saj dhe aleatëve ndërkombëtar, ka bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e demokracisë, sikurse edhe të sundimit të rendit dhe ligjit. Duke qenë gjithnjë në anën e drejt të historisë, Kosova është rreshtuar krah aleatëve edhe me vendimet për sanksione ndaj Rusisë e në mbështetje të Ukrainës. Por, siç potencoi Presidentja Osmani, interesimi i satelitit të Rusisë, Serbisë, për ta destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor, është më i madh se asnjëherë më parë, për shkak se Serbia është e interesuar të bllokojë suksesin në dialog dhe të arrijë qëllimet e saj me dhunë e nëpërmjet bandave kriminale”, thuhet në postimin e Presidencës në Facebook.
“Prandaj, Presidentja Osmani shtoi se Kosova ka ende nevojë për mbështetjen e aleatëve sikurse Mbretëria e Bashkuar, në mënyrë që të bëhen hapa përpara në forcimin dhe konsolidimin e mëtejmë të pozitës ndërkombëtare si dhe në luftimin e tendencave destabilizisuese ruso-serbe.
Në veçanti, Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e mbështetjes për anëtarësim në Këshillin e Evropës si dhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s, si prioritete immediate”, bën me dije njoftimi tutje.
Gjithashtu, thuhet se në takim është diskutuar edhe për procesin e dialogut me Serbinë, ku presidentja Osmani ka përsëritur faktin se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive, e cila po përballet me obstruksionet e vazhdueshme të Serbisë.
Ajo potencoi se është me rëndësi që Mbretëria e Bashkuara ta vazhdojë trashëgiminë e saj të mbështetjes ndaj Kosovës jo vetëm në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, por edhe në intensifikimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të dyanshëm./FolDrejt/