Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit vjetor të krerëve të shteteve të rajonit në kuadër të Procesit të Bërdo-Brionen, ka thënë se gjatë takimit nuk është diskutuar çështja e deeskalmit të situatës në veri dhe as masat e vendosura nga Bashkimi Evropian për Kosovën, por theksoi se këto tema janë diskutuar në takimet bilaterale që kishte.
Ajo tha se me presidentin e Kroacisë diskutuan për deeskalmin e situatës në veri të vendit dhe mbi të gjitha që BE t’i largojë masat për Kosovën të cilat janë joproporcionale. Sipas saj, pritet nga shtetet që përkrahin Kosovën, siç është Kroacia të ndërmarrin hapat ndër të parat për të iniciuar largimin e këtyre masave.
Osmani tha se gjatë këtij takimi është diskutuar ishin integrimi evropian, çështjet klimatike dhe problemet me të cilat po përballemi si rajon dhe problemin e ikjes së të rinjve.
“Sa i përket integrimit evropian është synim i përbashkët që të kemi proces të përshpejtuar për vendet e Ballkanit perëndimor, duke u bazuar në meritokraci. Natyrisht viti 2023 që tashmë është vënë si lloj synimi nga presidenti i Këshillit është synim i rëndësishëm por ishte dakordim i të gjithëve që ai vit duhet të jetë viti më i fundit që synojmë, pra disa prej nesh që jemi shumë më përpara me reforma, synojmë që të ecim përpara shumë shpejt, por ka ardhë koha që të shohim edhe hapa konkret nga Bashkimi Evropian sa i përket procesit të anëtarësimit të shteteve demokratike të Ballkanit Perëndimor sepse fatkeqësisht siç e keni parë në procesin e liberalizimit të vizave, edhe pse i ndarë, është dëshmuar që shpeshherë edhe pse plotësohen kriteret, përgjigja apo veprimi nga ana e BE-së, është shumë e vonshme”, tha ajo, duke shtuar se ka qenë takimi më konstruktiv që kanë pasur ndonjëherë, shkruan Telegrafi, përcjell Fol Drejt.